E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sfida ime është Hungaria, jo Portugalia”

 

Jetmir Halilaj

Pak ditë më parë trajneri i njohur i Interit, Zhoze Murinjo, tha në një intervistë ekskluzive për “Panorama” se, kombëtarja e tij Portugalia, do ta ketë të vështirë që të fitojë kundër Shqipërisë më 15 tetor. “Ju nuk keni asgjë për të humbur në këtë ndeshje, ndaj edhe do të luani pa ankth. Kjo shpeshherë i ndihmon skuadrat e vogla që të marrin atë që dëshirojnë. Ndaj mendoj se Shqipëria nuk do të jetë e lehtë të mundet”, është shprehur tekniku portugez. Këto fjalë inkurajojnë trajnerin e përfaqësueses Ari Han, i cili nuk e mohon se deklarata e Murinjos është një kompliment për të dhe skuadrën kuqezi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama”, trajneri i Shqipërisë ka folur për dy ndeshjet e radhës të kuqezinjve si dhe ka komentuar deklaratat e Murinjos e të Kuarezmës.
Mister, Murinjo ka thënë se do të jetë e vështirë që Portugalia të fitojë kundër Shqipërisë më 15 tetor...
(Mendohet)...Nuk kam folur asnjëherë personalisht me të, por është shumë pozitive që të dëgjosh komplimente të tilla nga Mourinjo. Ai është një trajner i madh dhe shumë i aftë, ndaj më vjen mirë që mendon kështu.
Kundër Portugalisë kthehet Krsitiano Ronaldo, sa ju shqetëson ky fakt?
(Qesh) ...Mirë do të ishte sikur të mos luante në këtë ndeshje. Ai është lojtari më i mirë për momentin dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, por ne jemi përballur edhe kundër një tjetër ylli botëror, siç ishte Ibrahimoviç, i cili gjithashtu është shumë i rrezikshëm, por ne mundëm ta neutralizonim atë dhe të mos i lejonim të dilte në lojën e tij. Tani na duhet të ndalim edhe yllin portugez, por nuk duhet harruar që Kombëtarja portugeze ka edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë si Deko dhe Nani, të cilët janë vërtetë ndër më të mirët në rolin e tyre.
Përsa i përket sfidës Portugali-Shqipëri, Kuarezma ka thënë se i druhet vetëm Bogdanit dhe Canës?
Oh, shumë mirë. Do të doja të mendonte kështu edhe në ndeshje. Duhet ta dini se është një gjë e mirë kur kundërshtari të nënvlerëson. Shpresoj që Kuarezma ta ketë pasur seriozisht.
Para Portugalisë do të luajmë kundër Hungarisë dhe do të jetë një derbi trajnerësh holandezë mes jush dhe Ervin Kumanit...
Përsa i përket derbit me Ervinin do të më pëlqeja ta fitoja sigurisht, por unë dua t’i fitoj të gjitha ndeshjet, ndaj ambicia ime nuk ka të bëjë vetëm me faktin që ai është trajner holandez. Ndeshja kundër Hungarisë është shumë e rëndësishme për ne, pasi është një takim që do të përcaktojë se në ç’nivel mund të arrijmë. Nuk duhet harruar se Hungaria renditet në klasifikimin e FIFA-s shumë më lartë se ne (në vendin e 50-të). Pra edhe njëherë e theksoj se kjo do të jetë një ndeshje thelbësore, pasi aty do të shohim se cila do të jetë e ardhmja jonë. Nëse dalim me sukses, atëherë mund të shkojmë shumë larg.
Shpeshherë jeni ankuar për kundërshtarët që keni pasur në ndeshjet miqësore, a keni ndonjë preferencë përsa i përket miqësores në datat e lira të nëntorit?
I kam dërguar FSHF-së tra emra skuadrash për këtë ndeshje, përveç atyre emrave që mund të kenë ata vetë, por nuk e di se në ç’pikë janë bisedimet me Federatat e këtyre vendeve.

Kapllani: Në Hungari të guxojmë për fitoren

Ka pësuar një dëmtim javën e kaluar në stërvitje dhe nuk luajti në fundjavë. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare rrezikon që të mos luajë edhe nesër në ndeshjen e Kupës kundër Volfsburgut. “Shpresoj të jem gati për ndeshjen kundër Volsburgut. Jam stërvitur i veçuar nga ekipi, duke bërë vrapime nën kujdesin e fizioterapistit, - ka thënë Kapllani për albania-sport.com -. E rëndësishme është që po përmirësohem shpejt. Kjo më bën optimist, pasi shpresoj të kem minutat e mia në ndeshjen kundër Volfsburgut në fundjavë. Tema e Kombëtares është edhe pika e “nxehtë” e intervistës me ish-sulmuesin e Partizanit. Të qenit e Shqipërisë në krye të Grupit 1 me pikë të barabarta me Suedinë e Danimarkën, por përpara dy kundërshtarëve të radhës, Hungarisë e Portugalisë, Kapllani e shikon si një faktor pozitiv që mund të ndikojë shumë pozitivisht. “Hungaria është një mundësi e mirë për të marrë pikët e radhës. Nuk besoj se kemi diferenca të mëdha në individualitete. Tri pikë të plota në Budapest nuk ka arsye që të mos i marrim. Kemi një grup të mirë për të arritur suksesin, kështu që do të besoja edhe për ndonjë surprizë me Portugalinë. Kualifikimi në Botëror? Është bukur të ëndërrosh. Jemi ende në vend të parë...”, është shprehur autori i 6 golave me fanellën kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›