“Të hiqet kryepolici,prangosi avokatin”
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Dhoma Kombëtare e Avokatëve kërkon nga krerët më të lartë të shtetit penalizimin e drejtuesve të Policisë së Gjirokastrës për incidentin e shkaktuar dy javë më parë, të prangosjes së avokatit gjirokastrit Bernard Aliko. Kjo letër dërgohet në të njëjtën kohë, kur nga Prokuroria e Rrethit kanë nisur hetimet me akuzën e veprimeve arbitrare të udhëheqësve të operacionit, të nisur pak javë më parë në qytetin jugor. Duke iu drejtuar presidentit, kryeministrit, ministrave të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, si dhe kreut të akuzës shqiptare, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatëve Maks Haxhia, kërkonte në letër vënien përpara përgjegjësisë së autorëve të organizimit të veprimit ndaj avokatit. Haxhia ka mbështetur pezullimin e punës së avokatëve gjirokastritë deri në daljen e përgjegjësisë së ngjarjes së ndodhur. "Përmes kësaj letre po përcjellim shqetësimin sepse kjo ngjarje ishte kulmi i tërësisë së një mentaliteti dhe qëndrimi lidhur me vlerësimin e misionit fisnik të mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të individëve në proceset gjyqësore", pohohet në letër. Si pjesë e Komitetit të Këshillit të Dhomave të Avokatisë së BE, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse nuk merren masa ndaj drejtuesit të Policisë së Gjirokastrës Arben Hyseni mbi të cilin është depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Gjirokastrës për "shpërdorim detyre" dhe "privim i lirisë së tjetrit", nga ana e avokatit Aliko. Reagimi i Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë, vjen dy javë pas incidentit që shkaktoi bllokimin e proceseve gjyqësore në Gjykatat e Qarkut të Gjirokastrës, si pasojë e braktisjes së tyre nga ana e avokatëve. Këta të fundit u solidarizuan me kolegun e tyre Bernard Aliko, pasi ai akuzoi se u mbajt me pranga për gati 15 minuta nga policë me maska pa asnjë arsye ligjore. Shoqërimi i tij u cilësua në atë kohë, si formë presioni mbi banorët e Lazaratit, pasi dhe vetë Aliko është nga i njëjti fshat. Aksioni "Siguria e jetës" nisi me arrestimin e 3 personave dhe bllokimin e disa mjeteve pa dokumente, mes tyre dhe bote me ujë, të cilat dyshoheshin se furnizonin kultivuesit e kanabisit në Lazarat.