E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojaxhiu indipendent i Sali Shijakut

 

ANILA MEMA

Sapo ka hedhur vijëzimet e para, që krijojnë siluetën e një bojaxhiu. Në murin e kuqërremtë. Në katin e dytë të galerisë. Eshtë një ripunim që i duhet të bëjë, për ekspozitën e titulluar “Ri-pikturim” një projekt i veçantë i GKA, që do të kthejë muret e saj në një studio arti për pak kohë. Në këtë ekspozitë marrin pjesë gjashtë artistë, por të parët që kanë hedhur penelat në mur, janë Ksenofon Dilo dhe Sali Shijaku. Ky i fundit, ka zgjedhur bojaxhiun, si njeriun që do të mbulojë më pas veprat, pikturat, një detaj i nxjerrë nga “Zëri i masës”, një pikturë e realizuar 30 vjet më parë, por nga vetë ai. Por kësaj here e sjell indipendent, të vetëm, pa censurën e kohës, me ç’gazetë të dojë në kokë e me kova të mbushura plot bojë. Puna sapo ka nisur dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës.   
Profesor Shijaku, ju duhet të ribëni një vepër tuajën, si është kur ripikturon?
Veprat bëhen dhe bëhen më të mira për herë të dytë. Kjo që unë po punoj është një variant tjetër, nga vepra që kam bërë më parë. Është vetëm një detaj i saj, është bojaxhiu, pa njerëzit e tjerë që i flasin mbi kokë. Do të ketë rreth vetes, rulin që lyen, kovat me bojë. Në këtë rast unë e kam bërë indipendent, meqë këto realizime janë menduar të mbulohen sërish.
Pse keni zgjedhur pikërisht bojaxhiun si personazh të kësaj vepre?
Sepse ka punë me bojën. Meqë do të mbulohen sërish si pikturime, atëherë është vetë bojaxhiu, që i bën dhe vetë ai që i mbulon. Në kokë nuk do të ketë më kaskë, por një gazetë, të cilën atë kohë e kam pasur por e kam ndryshuar, ngaqë ma kritikuan. Më parë nuk mund ta bëja me gazetë, pasi njësoj si semafori i kuq ishte dhe koha, e cila të paralajmëronte, ki kujdes se mund të sakrifikohet tabloja. Tani mund t’i vendos ç’gazetë të dua. Në fakt për këtë aktivitete, ekspozitë-performancë si mund të quhet, më kërkuan të bëja të gjithë tablonë e plotë, por ajo është e madhe në përmasa dhe ka shumë detaje, ndoshta do gjashtë muaj të realizohet, ndaj unë zgjodha të bëja vetëm bojaxhiun. Në përgjithësi unë kam pas pëlqyer një figurëshin, si Mic Sokolin me gjoks mbi top, apo Vojo Kushin, gurëhedhësin apo batalioni i hakmarrjes që ishte grup portret. Zakonisht jam përpjekur të përdor pak figura në pikturat e mia, por tek “Zëri i masës” duhet të kisha sa më shumë personazhe. Kësaj here, rikthehem te dashuria e parë, te një figurëshi.
Kur e keni realizuar për herë të parë “Zërin e masës”?
Për herë të parë e kam realizuar në 1973, ka qenë një konkurs. Mbaj mend që më erdhi kontrolli punëtor, të cilëve unë u tregova disa punime që kisha për ekspozitën, por sipas tyre ato nuk lidheshin me ngjarjet që unë po tregoja. Atëherë u thashë: do t’iu realizoj ju të gjithë, që jeni duke folur dhe veten time duke ju dëgjuar se si duhet ta bëj pikturën. Edhe sot kjo vepër qëndron e varur në muret e Galerisë, tregon një realitet të thellë, se si klasa punëtore atë kohë kishte një temë të dashur për pikturën, kishte një traditë, që piktorët të realizonin veten e tyre, me mbretërit, me politikën. Unë futa klasën punëtore dhe motivi ishte i ri. Kurse si tematikë, ishte e trajtuar me vetë autoportretin e piktorëve, por vetë spektatorët ishin të ndryshëm.
Ka piktura të tjera murale që mbajnë firmën tuaj dhe a ka ndryshim nga ajo që realizoni në telajo?
Po kam pikturuar një sulm partizan me gjerman, i cili ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Është një pikturë e madhe rreth 40 metra katror. Por nuk ka ndryshim të madh, përveçse materialit që përdoret. Piktura murale kërkon një theks më të madh, në mënyrë që të shihet në distancë, llogaritet drita, salla, dimensioni është më i madh, megjithëse unë me këtë vepër nuk tentova ta zmadhoj shumë, por mund ta hap pak me kovat me rulin.
Ju vjen keq që më pas do të mbulohet?
Jo nuk më vjen keq, se edhe dje kam bërë një bocet për të. Për mua lindi një tablo e re. Procesi është njësoj si lindja dhe vdekja. Pastaj rasti i kësaj performance është si puna e Rozafës që u muros në mur. 
Ndërkohë krijoni?
Po vazhdoj të punoj, është pjesë e jetës së përditshme. Në përgjithësi jeta është si një lojë. Arti e bën edhe më të bukur këtë lojë. Kështu që duke punuar jam vetëm me veten time, dua të rri vetëm kur punoj.
Çfarë keni në duar këtë periudhë?
Nuk kam vetëm një gjë. Nuk përqendrohem vetëm tek një punë, marr një, dy a tre njëherësh. Herë pas here, marr një që mund të ketë qenë e mbaruar dhe e ripunoj, ose ka qenë shumë e mbaruar dhe e riparoj pak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›