"Trebicka, ka mospërputhje në dëshmi"
Dashamir Biçaku
Më tepër se një javë pas ngjarjes ku mbeti i vdekur biznesmeni shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka, grupi i ekspertëve ka filluar të shikojë me dyshime deklarimet e dhëna nga dëshmitarët e ngjarjes. Prej gati dy ditësh grupi i ekspertëve të autorizuar nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin e shkaqeve të vdekjes së Trebickës, është angazhuar në leximin e akteve të dosjes së Prokurorisë dhe policisë e Korçës me deklarimet e marra dëshmitarëve ditën e vdekjes së biznesmenit, por edhe një ditë më pas. Kujdes i veçantë i është kushtuar deklarimeve të dëshmitarëve më të afërt me ngjarjen, të marrë në pyetje nga hetuesit për rrethanat në të cilat u gjet i vdekur biznesmeni. Ajo çka u ka bërë përshtypje hetuesve dhe ekspertëve që po merren me shqyrtimin e dosjes në Prokurorinë e Përgjithshme, është se disa prej deklarimeve të marra nga dëshmitarët nuk përputhen me dinamikën dhe kinematikën e vdekjes së biznesmenit, të konsideruar nga mjekësia ligjore dhe policia si aksident. Burime nga organi i hetimit thanë dje për gazetën "Panorama", se nga një vëzhgim i shpejtë i deklarimeve të dëshmitarëve, ka rezultuar se ato kanë qenë të paplota dhe se nuk japin të dhëna të mjaftueshme për të sqaruar pozicionin si është gjetur viktima, pozicionin e makinës apo drejtimet e lëvizjes së saj përpara se ajo të hynte në zonën që policia e quan "skena e aksidentit". Bëhet fjalë pikërisht për zonën e rrethuar me shirit nga efektivët blu pas mbërritjes së tyre në vendin e ngjarjes. Hetuesit i kanë marrë dëshmitë një nga një, duke i shqyrtuar ato me kujdes, veçanërisht kur flitet për pozicionin e automjetit, drejtimin e lëvizjes së tij, gjurmët e vëna re, si dhe pozicionin e viktimës. Pas një vëzhgimi të hollësishëm të dëshmive, jo pak nga rrëfimet e personave okularë të administruara në dosje janë hedhur poshtë si të pasakta ose të paplota, pasi janë rilexuar nga specialistët.
Kundërshtitë
Ekspertët kanë gjetur veç fakteve të paplota ose të paqarta në rrëfimet e dëshmitarëve, edhe të dhëna kontradiktore. Kështu dëshmitarët që janë pyetur për rrethana të njëjta të ngjarjes kanë dhënë fakte të ndryshme, duke hedhur pikëpyetje të mëdha mbi skenën e vdekjes së Kosta Trebickës. Sipas hetuesve, në një dëshmi një person ka deklaruar se në një orë të caktuar përpara ngjarjes, Kosta Trebickën e ka parë duke qëlluar me çifte në një prej fshatrave të zonës. Ndërsa një tjetër dëshmitar ka deklaruar se në të njëjtën kohë për të cilën flet dëshmitari i parë, e ka parë makinën e biznesmenit në një zonë tjetër, larg asaj që përshkruhet në rrëfimin e parë. Kjo ka bërë që secila prej këtyre dëshmive të hidhet poshtë automatikisht prej hetuesve dhe grupit të ekspertëve që po merren me analizimin e ngjarjes. Gjithashtu një handikap tjetër i vërejtur nga Prokuroria kanë qenë edhe deklarimet e dhëna nga personat e pyetur në vendin e ngjarjes. Disa deklarime të këtyre personave nuk përputheshin me veprimet e kryera nga Prokuroria me ato të kryera nga ekspertët gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes të premten e javës së kaluar. Këto probleme mësohet se kanë lindur për dy shkaqe. Së pari, për shkak se deklarimet janë konsideruar të paplota, pasi në to ishin parë mangësi dhe, së dyti, mundet që dhe dëshmitarët të mos kenë qenë edhe vetë të qartë për situatat që përshkruajnë në rrëfimet e tyre. Pavarësisht këtyre kontradiktave, sipas hetuesve, kjo nuk do të thotë se ato do të hidhen poshtë përfundimisht. Dëshmitë e dyshimta pritet të verifikohen dhe të saktësohen nga hetuesit dhe specialistët përkatës, duke rimarrë në pyetje të gjithë dëshmitarët nga e para. Në rastet kur dëshmitë e rimarra nuk do të rezultojnë të sakta, ato do të hidhen poshtë automatikisht.
Vdekja e Trebickës, ekspertiza pritet të përfundojë të mërkurën
TIRANE - Specialistët shqiptarë dhe eksperti amerikan që janë angazhuar në hetimin e ngjarjes së ndodhur me Kosta Trebickën, mësohet se do të dalin në një raport përfundimtar ditën e mërkurë. Në këtë kohë pritet që verifikimet e ekspertëve të përfundojnë dhe raporti të paraqitet pranë zyrës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Deri të mërkurën mësohet se ekspertët do të vazhdojnë matjet dhe verifikimet e tyre në policinë e Korçës dhe në vendin e ngjarjes, në zonën e Lekasit, ku Kosta Trebicka u gjet i vdekur rreth orës 13:57 të 12 shtatorit 2008. Nga verifikimet e deritanishme është provuar se makina me të cilën lëvizte biznesmeni ka qenë në gjendje të mirë teknike. Sipas verifikimeve autoteknike, fuoristrada nuk rezulton të ketë asnjë problem teknik apo xhenerik, edhe tani pas saltove dhe përplasjeve që ka pësuar gjatë ngjarjes në të cilën gjeti vdekjen biznesmeni Kosta Trebicka, i cilësuar si dëshmitar i dosjes "Gërdeci". Ekspertët anojnë deri më tani tek një ide, sipas të cilës devijimi i makinës mund të ketë ndodhur në një veprim të shpejtë dhe të papritur nga biznesmeni Kosta Trebicka. Kjo dyshohet se ka ndodhur në momentin kur qeni i gjahut i biznesmenit ka dalë para makinës dhe viktima ka pasur frikë se mund të vriste atë, nëse lejonte ecjen e makinës në vijë të drejtë.
Mostra ADN-je në Itali për verifikimin e identitetit
TIRANE - Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ku gjeti vdekjen Kosta Trebicka, mësohet se ka grumbulluar një sërë të dhënash që hedhin dritë mbi identitetin e viktimës dhe vërtetimin e tij. Megjithatë mësohet se disa mostra biologjike janë dërguar për analizën e ADN-së jashtë shtetit, me qëllim verifikimin e identitetit të tyre për të parë nëse ato i përkasin biznesmenit 52-vjeçar apo ndonjë personi tjetër. Sipas hetuesve, mostrat janë marrë në vendin e ngjarjes dhe kanë për qëllim të saktësojnë nëse ato i përkasin biznesmenit që gjeti vdekjen apo personave të tjerë, që mund të kenë qenë të pranishëm në vendin ku dëshmitari i dosjes "Gërdeci" është gjetur i vdekur pas mesditës së 12 shtatorit 2008. Grupi i hetimit mësohet se është në pritje të mbërritjes së analizave nga Italia, për shkak se mostrat e nevojshme janë dërguar në laboratorët e specializuar të këtij vendi disa ditë më parë. Ndërkaq mostra të tjera dhe prova të gjetura në vendin e ngjarjes ndodhen të depozituara në laboratorët shkencorë në Tiranë, me qëllim kryerjen e analizave të nevojshme.