Obama: Mbështes pavarësinë e zhvillimin ekonomik të Kosovës
Kandidati demokrat për president në Shtetet e Bashkuara, Barak Obama, ka deklaruar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe ndihmën për zhvillimin e saj ekonomik.
Senatori i Illinoisit tha se, nëse do të fitojë mandatin si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të punojë për forcimin e sovranitetit të Kosovës. “Shtetet e Bashkuara do të punojnë në ndërtimin e një shoqërie vibrante demokratike në Kosovë, duke siguruar barazi për të gjithë njerëzit që jetojnë atje”, ka cituar Obama në një intervistë në gazetën shqiptaro-amerikane, “Illyria”. Obama është zotuar ta ndihmojë Prishtinën në integrimet e saj euro-atlantike dhe ka premtuar se, do të bëjë gjithçka që mundet për të nxitur zhvillimin në sektorët e saj të infrastrukturës dhe energjisë. Kjo deklaratë është përpjekja e parë e Obamës për të komunikuar drejtpërdrejt me komunitetin shqiptar, që jeton në Shtetet e Bashkuara. “Si president do ta ndihmoj Kosovën, që të zhvillohet ekonomikisht”, citohet në gazetë. Sipas mediave, deklarata e Obamës drejtuar komunitetit shqiptar në SHBA është bërë me qëllim për të larguar frikën e shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë ndjekur me nervozizëm deklaratat, që senatori ka bërë lidhur me Serbinë. Mediat kanë raportuar se, disa shqiptarë kanë qenë të shqetësuar për faktin se, Obama nuk i kishte kuptuar plotësisht zhvillimet në Ballkan gjatë viteve ’90 dhe veç kësaj, edhe faktin se ai mund të jetë influencuar nga lobimi i fortë nga komuniteti serb, që i është bërë atij në Illinois. “Barak Obama e mbështet pavarësinë e Kosovës dhe dëshirën e saj për të ecur drejt sovranitetit të plotë”, thuhet në këtë deklaratë të Obamës.
Fushatë në Nju Jork
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i jashtëm, Skënder Hyseni dje nisën një axhendë të ngjeshur takimesh në Nju Jork. Pa bërë publike hollësitë, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Prishtinë tha se, presidenti dhe ministri i Jashtëm do të kenë të paktën 50 takime me presidentë, kryeministra dhe ministra te jashtëm të vendeve, që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Kreu i shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kosovës shpresojnë se brenda dhjetë ditëve të ardhshme do të arrijnë që të sigurojnë njohje të reja të shtetit të Kosovës.