Linjat e gabuara qe sollen krizen globale
“Kriza është rezultat i konfuzionit rreth roleve të përshtatshme të qeverisë dhe tregut. Ne nevojitet të gjejmë balancën e drejtë përsëri dhe unë jam me shpresë se do ta bëjmë.”. (nga libri “Fault Lines” i Raghuram Rajan, ish–shef i ekonomistëve në FMN)
Libri “Fault Lines” përqendrohet mbi idenë kyçe të lëvizjes së ngadalshme të pllakave tektonike të ekonomisë globale, për shkak të nxitjes së konsumit me anë të huamarrjes në vendet me deficite fiskale si: SHBA, Portugalia, Greqia, Spanja etj., kursimeve të tepruara të vendeve eksportuese që, fiskalisht, janë me tepricë paraje si: Kina, Gjermania etj., dhe sofistikimit të rritur të sektorit financiar. Në të vërtetë, asnjë nga këto lëvizje në vetvete nuk mund të duket e rrezikshme, por kur këto pllaka lëvizin drejt njëra–tjetrës dhe përplasen, ekonomia globale mund të shkundet keqazi dhe, për pjesën më të madhe të lojtarëve që përqendrohen ngushtësisht në pozicionet e tyre dhe lënë mënjanë lëvizjet e pllakës ku ata qëndrojnë, tërmeti (kriza financiare dhe ekonomike globale) mund të duket një rrethanë e pafat e shansit; kriza nuk ishte, thjesht, një aksident i pastër për arsye se mund të rezultojnë kriza më të ashpra në të ardhmen në qoftë se nuk adresohen në kohën e duhur dhe mirë shkaqet bazë.
Shtrembërimet e rëndësishme qeveritare në ekonominë globale dhe shkaqet e tyre mbështetëse janë: (I) nxitja e pronësisë universale të shtëpive në SHBA; (II) rritja ekonomike e udhëhequr nga eksporti në vende të tilla si: Gjermania dhe Kina, politika këto që së bashku kanë çuar në “zhbalancime globale” masive, duke bërë të mundur që disa vende të tilla si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja të mbeten me deficit buxhetor dhe të marrin para hua nga tepricat e vendeve eksportuese.
Në SHBA, vihet re një pabarazi në rritje e të ardhurave, e cila e kombinuar me një rrjet relativisht të dobët sigurie për të varfrit dhe të papunët, me kohë bën presion mbi politikanët, me qëllim që ata të gjejnë mënyra të shpejta për të mbushur hendekun e pabarazisë; në vend të përmirësimit të konkurrueshmërisë afatgjatë të fuqisë punëtore për një treg global me një përzierje të ndryshueshme të industrive dhe aftësive profesionale të kërkuara, qeveritë e këtyre vendeve kanë adoptuar opsionin afatshkurtër “le të hanë kredi ata”. Prania e firmave të mëdha financiare të sponsorizuara nga qeveria në SHBA (Fannie Mae dhe Freddie Mac, në veçanti) bënë të mundur ushtrimin e një opsioni të tillë të gatshëm, nëpërmjet nxitjes së huadhënies parësore për familjarët me të ardhura të ulëta (hua hipotekore dytësore – subprime mortgages).
Në rastin e vendeve me tepricë paraje (Kinë dhe Gjermani), ka qenë problemi i rritjes së eksportit, ku përqendrimi i vëmendjes i fiksuar mbi eksportet, i ka çuar qeveritë e këtyre vendeve në injorimin e sektorit vendas, gjë që ka parandaluar rizhvendosjen e tepricës së parasë për zhvillimin e brendshëm dhe forcimin e përqindjeve të kursimit në mënyrë domethënëse, për shkak të mungesës së rrjeteve të sigurisë në përputhje me kërkesat e kohës (të paktën në rastin e Kinës, thuhet se “secili fëmijë në Kinë po kursen për të financuar shpenzimet e pleqërisë jo vetëm për dy prindër, por gjithashtu për katër gjyshër”); në këtë mënyrë, këto kursime nuk kanë ku të shkojnë tjetër veçse jashtë vendit, duke ngritur rrjedhat masive të kapitalit që furnizuan zgjerimin e sektorit të banesave në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë.
Këto politika të dy grupeve të ndryshme vendesh kanë bashkëvepruar me njëra – tjetrën (dhe me sektorin financiar) në furnizimin e zgjerimit të niveleve të flluskave të paqëndrueshme të banesave; dora e padukshme (e Smithit), që operon nëpërmjet çmimit, kur çmimi shtrembërohet mund të çojë gjithashtu në shtrembërime masive në caktimin e kapitalit. Sektori financiar në botën e zhvilluar është aq i sofistikuar dhe amoral saqë rendja çmendurisht pas fitimeve e bën atë ta drejtojë kapitalin kurdoherë atje ku ka një keqformim relativ të çmimit.
Kështu, në qoftë se qeveritë subvencionojnë pronësinë e shtëpisë, përpjekjet do të bëhen për ta zhvendosur të gjithë kapitalin e lirë të botës në sektorin e banesave. Në qoftë se qeveritë shohin se huamarrja është e lirë, sepse kursimet kërkohen jashtë, sektori financiar do të rritet në një përqindje të mjaftueshme për të absorbuar dhe mbështetur zgjerimin e kreditimit të banesës nëpërmjet këtyre rrjedhave të kapitalit.
Në mënyrë të qartë, kanë qenë, veçanërisht, shtrembërimet e bazuara në nxitës në sektorin financiar, për shkak të natyrës afatshkurtër të kompensimit të bazuar në kontabilitet, që ka injoruar risqet e vërteta afatgjata; zhbalancimi i rrjedhave të kapitalit dhe lehtësia e nxitjes së pronësisë dytësore të shtëpisë (për shkak të shtrembërimeve qeveritare) nënkupton se sektori financiar ishte thelbësisht një gyp që bëri të ndodhte ajo çfarë po kërkonte të arrinte pjesa tjetër e botës. Në këtë proces, bankat bënë një ton me hua të këqija (dhe qeveritë ishin të gëzuara me një gjë të tillë derisa shpërtheu kriza); disa pjesë të sektorit financiar e ndoqën këtë rol, madje në mënyrë më agresive nga ajo që mund të imagjinojë ndokush për shkak të mbrojtjes së gatshme të parashikimeve “tejet e madhe për të falimentuar, ose too big – to fail” (bankat shumë të mëdha, në mënyrë të përsëritur, janë nxjerrë nga halli (bailout) nëpërmjet zemërgjerësisë së qeverisë dhe, duke shijuar stimulin monetar të bankave qendrore, në secilën kohë tregjet morën tatëpjetën.
Dukuria mahnitëse se shërimet nga rëniet ekonomike të fundit, veçanërisht, në SHBA nuk kanë dhënë rezultat për periudha të gjata kohe, ndoshta, tregon se si një përgjigje e nënvetëdijshme (ose për shkak të ideologjive në raste të tjera), bankat qendrore kanë tentuar të sigurojnë stimul masiv monetar për ta bërë sektorin financiar të nxisë konsumin familjar dhe investimin e sektorit real gjithnjë e më të vështirë, nëpërmjet ndërmjetësimit dhe huadhënies së madhe. Të tillë stimuj, fatkeqësisht, përsëri shërbejnë për të transferuar rentat nga familjarët në sektorin financiar (duke i mbajtur përqindjet e interesit të ulëta) dhe duke prodhuar riskun e keqformimit të çmimit. Në këtë mënyrë, ekonomia ka lëvizur “nga flluska në flluskë”, derisa flluska e fundit nuk mund të spastrohej nga askush, madje as nga shpikjet më mira të Bankës Qendrore (Fed), pavarësisht përpjekjeve më të mira që ka bërë dhe vazhdon të bëjë ajo.
Për këto arsye propozohen reforma që fokusohen në tri çështje kyç: ndërtimi i një rrjeti sigurie më të mirë (veçanërisht, sugjerimet për të përmirësuar të drejtën e arsimit për të gjithë dhe zgjerimin e sigurimit të papunësisë në një nivel më të madh), zvogëlimi i zhbalancimeve globale dhe përmirësimi i rregullimit të sektorit financiar, kështu që ky më saktë të paguajë për spastrimin e flluskave që furnizoi, sesa qeveritë dhe bankat qendrore t’ia kalojnë këto kosto tatimpaguesve.
Rritja ekonomike e bazuar në eksporte në Kinë dhe Gjermani, si dhe financimi i shitjeve të tyre efektive të konsumit në SHBA dhe vendet e zonës euro, tekefundit fare, përballin kufizime për arsye se konsumi bie; këto vende tani po detyrohen të bëhen stimuli i rritjes ekonomike dhe ta drejtojnë riskun e mbjelljes së farave të flluskave në ekonomitë e tyre dhe kjo tregon “se si frakturat e fshehura ende e kërcënojnë ekonominë botërore”.
Jeremy Grantham, menaxher investimesh dhe guru shkruan se rritja ekonomike e furnizuar nga borxhi “në një kuptim të rëndësishëm nuk është bota reale”. “Në botën reale, rritja ekonomike varet nga faktorë realë: cilësia dhe sasia e arsimit, etika e punës, profili i popullsisë, cilësia dhe sasia e fabrikës dhe pajisjes ekzistuese, organizimi i biznesit, cilësia e lidershipit publik (veçanërisht nga Fed – i në SHBA) dhe cilësia (jo sasia) e rregullave ekzistuese, si dhe shkalla e masave shtrënguese” pra politikën fiskale dhe monetare mund t’i shtysh dhe t’i tërheqësh si të duash, por rritja ekonomike afatgjatë varet nga faktorët e përmendur më lart.