E Shtunë, 31 Tetor 2026

Linjë direkte Tiranë–Zagreb

 

Tashmë Tirana dhe Zagrebi janë larg vetëm 1 orë e 30 minuta. Kompania ajrore BelleAir fillon tre herë në javë fluturimet për në Kroaci. Avioni 46-vendesh ATR 42-300 ofron komoditet dhe cilësi. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës organizoi dje një ceremoni për të shënuar fillimin e fluturimeve direkte Tiranë– Zagreb. Ky shërbim i ri ofrohet nga kompania ajrore me kosto të ulët BelleAir dhe do të mundësohet tre herë në javë ditën e hënë, të mërkurë dhe të premte. Nisja e avionit nga Tirana kryhet në orën 12:00, mbërritja në Zagreb në orën 13:30, dhe në kthim, nisja në 14:30 dhe mbërritja në orën 16:00. “Kjo lidhje e re merr një rëndësi të veçantë, pasi vjen në momentin kur Shqipëria dhe Kroacia janë propozuar për anëtarësim të plotë në NATO në Samitin e Aleancës së Atlantikut Verior në pranverë. Është kënaqësi të shohësh se pas një axhende të përbashkët politike, të dyja vendet kanë tashmë një lidhje direkte fizike me njëri-tjetrin”, tha drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s Zj. Andrea Gebbeken. Krahas autoriteteve të transportit ajror civil shqiptar, në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i Kroacisë në Shqipëri Z. Darko Javorski. Pas përfundimit vitin e kaluar të disa investimeve infrastrukturore të rëndësishme, TIA është duke zgjeruar terminalin e saj të pasagjerëve, duke rritur kapacitetin e aeroportit dhe duke garantuar në të njëjtën kohë, standarde të larta sigurie, shërbimi dhe komforti për gjithë klientët e saj. Kjo linjë e re, së bashku me fillimin e operimeve të Sky Express Airlines e çon në 32 numrin e destinacioneve të mbërritjes dhe në 13 numrin e kompanive ajrore, që operojnë në TIA. Në vijim të sukseseve të larta në 2007, TIA parashikon rritje të konsiderueshme edhe këtë vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›