E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi i mjekëve, KLD bllokon dosjet

 

Fatos Mahmutaj

Inspektorati i KLD-së nis verifikimin e dosjeve të gjykatave për lirimin e mjekëve të arrestuar nga Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit. Burime nga Këshilli pohojnë se inspektorët tashmë kanë marrë në dorë dosjet gjyqësore të mjekëve Kastriot Dautaj, Ardian Nelaj dhe Agim Karaj, të cilët fituan lirinë pas arrestimit nga policia nën akuzën korrupsionit. Në fakt për lirimin e mjekëve reagoi prokuroria e kryeqytetit, institucion i cili kishte urdhëruar arrestimin pasi agjentët e antikrimit kishin mundur, veç tjerash, t’i filmonin mjekët teksa merrnin para nga familjarët e pacientëve që operonin. Ndërsa pas kësaj Këshilli i Lartë i Drejtësisë pohoi se do të kontrollonte dosjet e mjekëve pasi dyshohet se gjyqtarët kanë shkelur ligjet me lirimin e tyre, pasi më parë të njëjtët gjykatës kishin vendosur arrest në mungesë dhe gjatë verifikimit të masës kishin vendosur lirimin. Gjatë seancës së masës së sigurisë, gjykatësit nuk u shprehën se ndaj mjekëve nuk ekzistonin prova që të vërtetonin akuzën e “korrupsionit”, por urdhëruan lirimin e tyre, ndërsa për raste të tjera analoge vendosën “arrest në burg”. Pritet që në ditët në vazhdim inspektorati të dalë me një konkluzion pas kontrollit që po ushtrohet mbi dosjet e lirimit të mjekëve. Pak ditë më parë, KLD deklaroi se do të hetojë tre rastet e lirimit të kirurgëve të arrestuar, me qëllim verifikimin e bazueshmërisë në prova dhe në ligj të vendimeve që dhanë gjykatat për secilin rast. Në rastin e Kastriot Dautajt, vendimi u dha nga një treshe e Gjykatës së Apelit, kurse në rastet e mjekëve Ardian Nelaj dhe Agim Karaj, vendimet u dhanë nga dy gjyqtarët përkatës në shkallën e parë të kryeqytetit.   
Tre rastet
I pari u arrestua mjeku urolog Kastriot Dautaj, më 7 korrik të këtij viti, vetëm pak minuta pasi kishte futur në xhep një shumë prej 500 mijë lekësh të reja, që ia kishte marrë babait të një pacienteje që i kishte bërë ndërhyrje kirurgjikale në veshka. Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar nga agjentët e antikrimit të policisë, në një bankë iu gjet një llogari rreth 500 mijë euro, origjina e së cilës dyshohet të jetë korrupsioni i kryer nga mjeku. Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “burg pa afat” por dy javë më vonë një trup gjykues tre anëtarësh i Gjykatës së Apelit të kryeqytetit, urdhëroi lirimin e mjekut Dautaj, duke zbutur masën e sigurisë, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Sipas kësaj mase, mjeku la qelinë, ndërsa prokurorisë i duhet të vazhdojë hetimet ndaj tij nën këtë masë sigurie. Një nga argumentet e paraqitura nga gjykatësit për zbutjen e masës së sigurisë ndaj mjekut ishte personaliteti i tij dhe fakti se ai nuk mund të pengonte hetimet apo të zhdukte e të manipulonte provat. Më 31 tetor u prangos në flagrancë shefi i Klinikës së Spitalit të Burgjeve, i cili kishte marrë një shumë prej 20 mijë lekësh të reja familjarëve të një pacienti. Ndërsa më datë 5 nëntor u arrestua Agim Karaj, Shefi i Onkologjikut, të cilët u liruan pas dy ditësh nga gjykata. Për këtë të fundit mësohet se deri më tani, është verifikuar se ai ka paraqitur në Gjykatën e Tiranës dokumente mjekësore që tregojnë se ai vuan nga diabeti. Mbi bazën e këtyre dokumenteve që janë administruar prej gjykatës, mësohet se është bërë edhe ndryshimi i masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Inspektorët e KLD-së janë duke i verifikuar tri rastet me qëllim që të shikojnë të gjithë dokumentet që ndodhen në dosje për të parë rrethanat në të cilat janë bazuar gjyqtarët që morën vendime për ndryshimin e masave të sigurimit ndaj tre mjekëve të arrestuar.   

Kastriot Dautaj

Gjatë operacionit policor të koduar më 7 korrik 2008 “Veshka e humbur” u vu në pranga kirurgu urolog Kastriot Dautaj, i cili punonte edhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Ndaj tij Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “burg pa afat” nën akuzën e “korrupsionit” ndërsa Apeli dy javë më vonë vendosi ta zbuste në “arrest shtëpie”, duke u nisur nga personaliteti i të pandehurit.

Ardian Nelaj

Në operacionin e koduar “Standardi i garantuar” u prangos më 31 tetor 2008, mjeku 38-vjeçar Ardian Nelaj, shefi i Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë. Sipas policisë dyshohet se ky përfitonte para, duke iu kërkuar pacientëve të ndryshëm shuma që nisnin nga 20 mijë lekë të reja, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale, të cilat i zhvillonte në sallën e Urgjencës së Spitalit, II, Tiranë.

Agim Karaj

Shefi i Onkologjikut, kirurgu 58-vjeçar, Agim Karaj u prangos në operacionin e koduar “Plaga e hapur” më 4 nëntor 2008. Pas arrestimit të tij u bë e ditur se ai u kërkonte dhe përfitonte ryshfete nga të afërm të pacientëve, në shuma që nisnin nga 45 mijë lekë të reja, në këmbim të ndërhyrjeve kirurgjikale. Policia pohoi se iu sekuestruan pas arrestimit 40 mijë lekë dhe 8 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›