Politekniku, ja masterat e rinj për inxhinierinë
Çelen mastera të rinj në Universitetin Politeknik. Qeveria miratoi dje edhe dy programe të tjera studimi për Fakultetin e Inxhinierisë. Përkatësisht në degën e inxhinierisë së mjedisit, me profile: Trajtim uji dhe energjetike. Veç tyre, master dy vjeçarë do të ketë edhe për “Inxhinieri ndërtimi”, me profil gjeoteknik. Në vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar edhe kuotat e pranimeve në këto mastera për vitin akademik që sapo ka nisur. Në degën e inxhinierisë së mjedisit do të pranohen 50 studentë ndërsa në Inxhinierinë e ndërtimit 30.”Universiteti Politeknik i Tiranës shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij, në masën jo më pak se 30%, për studentët, që kanë përfunduar të paktën ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 %, për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij”, thuhet në vendim. Në të cilësohet se në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti Politeknik ka të drejtë të plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar në të. “Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, të përcaktuara nga njësitë kryesore të Universitetit Politeknik të Tiranës, bëhen publike”, thuhet në vendimin e djeshëm. Në të saktësohet se kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër, të shurdhër, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve, të rënë ose të plagosur, që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi, të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë 50% të tarifës së shkollimit. Nga tarifa përjashtohen edhe studentët e shkëlqyer. Për të marrë diplomën e masterave dy vjeçarë është e domosdoshme të plotësohen 120 kredite. Në këtë mënyrë plotësohet cikli i studimeve sipas sistemit 3+2 me kartën e Bolonjës. Për këtë vit akademik qeveria i ka dhen OK-in hapjes së këtyre programeve në një sërë degësh të universiteteve publike. Veç tyre janë miratuar edhe masterat 1-vjeçarë për fakultete të caktuara.
Masterat
Universiteti Politeknik
Dega1- Inxhinieri mjedisi
me profile:
Trajtim uji
Energjetikë
50 kuota
2- Inxhinieri ndërtimi
me profil:
Gjeoteknik
30 kuota