Berisha: Do mbështesim fuqishëm universitetet private
“Jam i vendosur të mbështes fuqimisht pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim, sepse jam i bindur se kjo është rruga më e sigurt e mobilizimit të burimeve më të mëdha financiare, në mbështetje të këtij sektori”. Këtë deklaratë bëri dje Kryeministri i vendit Sali Berisha në ceremoninë e dhënies së certifikatave për 26 mësues të shkollave publike e private në vend. Ai shtoi se qeveria do të punojë me përkushtim për të zhdukur dallimet. “Kjo sepse në botë sot ka një revolucion dhe ky është revolucioni i shërbimeve. Në këtë kontekst, ajo që ka shumës rëndësi është cilësia e tyre dhe jashtë garës nuk mund të ketë cilësi”, u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri tërhoqi vëmendjen edhe për sa i përket çështjes së shkrimit të teksteve nga pedagogët, duke theksuar se duhet të nxitet edhe përkthimi i teksteve studimore të afirmuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht. “Ka shumë tekste të cilat e kanë konfirmuar veten e tyre në botë. Unë nuk them se nuk duhet të shkruhen tekste, por, dua të nxis përkthimin e teksteve më të mira, të cilat janë të faktuara si sintezë e shkëlqyer, me të njëjtat koncepte, kudo në botë”, tha Kryeministri.