Shkodër, makina në Drin, vdes studenti dhe efektivi i ushtrisë
SHKODER - Aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ndodhi dje pasi një automjet me targa italiane ra në ujërat e lumit Drin. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30, te vendi i quajtur Kthesa e Beltojës, 6 kilometra në të dalë të qytetit të Shkodrës. Viktimat Moisi Karasani, 40 vjeç dhe Fatjon Methasani, 22 vjeç, banues në Tiranë po ktheheshin nga Shkodra kur mjeti devijoi rrugë. Nxjerrja e trupave të tyre është bërë e mundur në orët e paradites pasi në vend mbërritën polumbarë të RENEA-s nga Tirana. Sipas policisë, mjeti tip Golf 3 me targa italiane PI 588551, ka dalë nga rruga duke depërtuar edhe mbrojtëset anësore të saj, në aksin Shkodër-Lezhë. Mësohet se rojet e një lokali që ndodhej fare pranë vendit të aksidentit kanë sinjalizuar policinë. Ata kanë dëgjuar zhurmën e përplasjes së mjetit, ndërsa e kanë parë teksa është fundosur në ujë. Polumbarët e repartit special të RENEA, rreth orës 08:30 nxorën në sipërfaqe trupin e Moisi Karasanit. Viktima mësohet se ishte me detyrë shef prapavije në një repart ushtarak të Tiranës. Nga hetimet paraprake është mësuar se 40-vjeçari Karasani ishte nisur nga Shkodra dhe po udhëtonte drejt kryeqytetit. Disa minuta pasi u nxor trupi, me ndihmën e mjeteve të rënda u bë e mundur edhe nxjerrja nga uji i automjetit. Pas nxjerrjes së makinës dhe drejtuesit të saj, blutë ende nuk ishin të qartë për numrin e personave që mund të kishin qenë në makinë. Por pas mbërritjes të të afërmve të Karasanit, ata deklaruan se së bashku me të në mjet kishte qenë edhe kushëriri i tij, Fatjon Methasani, student në vitin e II-të të degës Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Shkodrës. Polumbarët rifilluan kërkimet dhe rreth mesditës u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë të Methasanit. r.d