Linkolni, 166-vjetori
Abraham Linkolni është një nga figurat më të shquara të historisë amerikane, si dhe një nga njerëzit më të rrallë të botës. Linkolni e mbrojti kauzën e lirisë me përkushtim të skajshëm, gjatë gjithë jetës së tij.
Ai foli për të me vendosmëri dhe besim të thellë. Dhe kushdo që flet për lirinë në këtë mënyrë, kuptohet që rezonon në gjithë kohërat dhe tek të gjithë njerëzit.
"Duke u dhënë lirinë atyre që janë skllevër, ne sigurojmë edhe lirinë e atyre që janë të lirë". Këto janë fjalët që Linkolni tha më 1861-shin.
Ato do të mbeten si një flakë që nuk shuhet. E vërteta është se, sot, kushdo e kupton që, në kohën tonë, e cila presupozohet se është e qytetëruar dhe e përndritur, ka ende shkatërrim, persekutim, urrejtje dhe pasione, që e bëjnë njeriun po aq skllav sa skllevërit që çliroi Linkolni.
Në një rast tjetër, Linkolni ka thënë: "Unë nuk dua të jem as skllav e as pronar skllevërish". Këto pak fjalë pasqyrojnë thelbin e filozofisë së Linkolnit.
Kjo ishte arsyeja që ai iu kundërvu, si skllavërisë fizike, edhe asaj politike. Në të njëjtën kohë, ai luftoi edhe një skllavëri tjetër - skllavërinë morale. Kjo lloj skllavërie, e cila skllavëron shpirtin, ka brenda urrejtjen dhe hakmarrjen.
Linkolni ritheksoi pozicionin e tij kundër kësaj skllavërie me fjalët e fisme të fjalimit të mbajtur gjatë inaugurimit të tij të dytë si President, më 1864-ën: "Ligësi ndaj askujt, mirësi ndaj të gjithëve...".
Në këto fjalë ka po aq vërtetësi dhe ndjenjë njerëzore, sa edhe në librat e shenjtë. Me to, Linkolni afirmoi një pakt dashurie.
Këto fjalë nxorën në dritë edhe një njeri të zhveshur nga pasionet politike; një njeri të lirë në trup dhe shpirt; vëllanë e të gjithëve, i cili, si President, qëndroi mbi partitë dhe grupet e interesit, dhe që foli si një përfaqësues i vërtetë i të gjithë kombit.
Prandaj, në ditët tona, kur shpesh urrejtja, smira dhe hakmarrja, duket se janë të vetmet ndjenja që e shtyjnë njeriun të veprojë, figura dhe jeta e këtij amerikani të madh shndrit magjishëm.
Duhet thënë se, për Linkolnin, përdoret ende nofka "i ndershmi Abraham", të cilën ai e fitoi prej drejtësisë dhe ndershmërisë së tij.
Ai kurrë nuk përdori mashtrimin si mjet për të arritur qëllimet e veta dhe nuk i tradhtoi kurrë idealet në funksion të përfitimit politik. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, Abraham Linkolni, si një qenie njerëzore, kishte të meta dhe kundërshtarë.
Por, të metat iu hijezuan nga virtytet e tij të shumta, të cilat ia pranonin edhe armiqtë më të ashpër.
Linkolni, i cili jetoi me njerëzit dhe punoi për njerëzit, ishte plotësisht i vetëdijshëm për realitetet e vështira dhe dobësitë njerëzore.
Por, pavarësisht nga kjo, ai kurrë nuk e hoqi vështrimin nga shtegu që duhej ndjekur.
Ky idealizëm i palëkundur dhe pastërtia e karakterit të tij, hapën rrugën e zhvillimit dhe i mundësuan atij të tejkalonte ngjarjet e vështira dhe tragjike, të cilat vunë në provë kombin gjatë kohës që ai ishte President. Linkolni përqafoi me ngrohtësi dhe kurajë kauzën e të dobëtëve dhe të varfërve.
Me të njëjtën kurajë, ai shpalli kushtet e domosdoshme për respektimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga raca, gjuha apo feja.
Me besim të thellë te zoti dhe ndërgjegje të pastër, dikur, Linkolni deklaroi se "do të mbronte të vërtetën dhe drejtësinë deri në vdekje".
Dhe ai e bëri këtë... Nuk u ndal dhe nuk u frikësua kurrë. E pranoi me vetëdije të plotë rolin që i dhuroi fati për t'i shërbyer vendit të vet.
Për përmbushjen e misionit të tij, Linkolni gjeti frymëzim te vetvetja: në ndershmërinë e tij intelektuale, në kurajën morale, në shpirtin e tij të gjerë e të sinqertë.
Të kuptuarit e problemeve të vështira të kohës, por edhe përqasja e qartë për zgjidhjen e tyre, krijuan një shembull të paçmuar për të gjithë ata pas tij, të cilëve iu desh të ballafaqoheshin me probleme të tjera të vështira dhe të ndërlikuara, si në fushën politike, ashtu edhe në atë socio-ekonomike.
Linkolni theksoi se shoqëritë arrijnë madhështinë vetëm kur u japin të drejta të barabarta anëtarëve të tyre. Ai nuk u kufizua vetëm në deklarimin e ideve dhe parimeve, por edhe punoi me vetëmohim për t'i materializuar ato.
Linkolni veproi në këtë mënyrë, jo thjesht sepse ishte i vetëdijshëm për misionin e tij, por edhe sepse kishte një besim të patundur në të ardhmen e vendit. Prandaj, ai deklaroi në mënyrë solemne që "qeveria e popullit, prej popullit, për popullin, nuk duhet të vdesë kurrë". Kjo është trashëgimia që na la një nga bijtë më të mëdhenj të kontinentit të ri.
Ky njeri i madh, që kishte lindur në një kasolle, si udhëheqës i një populli të ri, përmbushi një mision historik.
Ky ishte një mision shumë i vështirë dhe, megjithëse Linkolni e mirëkuptonte tragjedinë e jugut, mbeti i patundur në besimin se nuk mund të kishte justifikim moral për vazhdimin e skllavërisë, në një vend ku shumica dërrmuese dëshironte një shoqëri të lirë dhe demokratike.
Ndoshta, asnjë President tjetër në historinë e Amerikës, nuk është përballur ndonjëherë me përgjegjësitë e zyrës së Presidentit, me një kurajë të tillë të lartë morale.
Dhe është meritë e pavdekshme e Linkolnit realizimi i dy objektiva madhështore: shkatërrimi i sistemit të skllavërisë dhe sigurimi i unitetit të përjetshëm të kombit amerikan.
*Xhevat Kallajxhi është autori i biografisë së Linkolnit në shqip. Shkurti i këtij viti ishte 166-vjetori i lindjes së Abraham Linkolnit, Presidentit të 16 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përktheu nga anglishtja Eduard Zaloshnja / (Shënim i përkthyesit)