E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bankat të mos nxjerrin valutën nga Shqipëria”

02/03/2009  Konfindustria kërkon marrjen e masave ndëshkuese për flukset e paligjshme

Buxhuku: Banka e Shqipërisë të forcojë maksimalisht rregullat

Nëse banka të nivelit të dytë që janë degë të bankave të huaja në vendin tonë, apo individë të veçantë nxjerrin valutë në këtë periudhë, ata duhet të ndëshkohen. Kjo do të jetë një prej mënyrave që komuniteti i biznesit rekomandon që të mos lejohet thellimi i krizës në vend, apo dobësimi i sistemit bankar. “Konfindustria në kushte të tilla kërkon që Banka e Shqipërisë të forcojë maksimalisht rregullat dhe kushtet e daljes së valutës aq shumë të nevojshme për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit sidomos në kushtet e krizës, që ka përfshirë tregjet botërore, nga sistemi bankar shqiptar jashtë kufijve të vendit. Konfindustria kërkon gjithashtu që autoritetet ekzekutive përgjegjëse të marrin masa të jashtëzakonshme për të mos lejuar daljen e valutës nga bizneset dhe individët në mënyrë të paligjshme jashtë vendit”, - theksoi administratori i përgjithshëm Gjergj Buxhuku. Sipas tij, një numër i mjaft i madh i sistemit bankar shqiptar zotërohet plotësisht ose pjesërisht nga bankat, që rrezikohen si pasojë e përçimit të problemeve të qarta të krizës financiare në vendet e Evropës Lindore, Rusisë dhe SHBA-së.

Pasojat

Nëse nuk merren masa për pengimin e daljes së valutës jashtë vendit do të dëmtohet sistemi bankar shqiptar. “Konfindustria mendon se mosmarrja sa më shpejt e masave të mësipërme parandaluese shtetërore, mund të çojë drejt pakësimit të paarsyeshëm të rezervës valutore, duke dëmtuar rëndë jo vetëm sistemin bankar deri më sot të qëndrueshëm, por do të jetë me pasoja të jashtëzakonshme për gjithë stabilitetin makroekonomik dhe social në afatgjatë të vendit”, - tha Buxhuku.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›