Shumicë e ngujuar
Kur një vit e ca më parë, botova në gazetën "Shekulli", një artikull me titull, "Shenja që kallin frikë", nuk e kisha menduar kurrë se, pas një farë kohe relativisht të gjatë, do të ulesha sërish të shkruaja vijimin.
Në nëntor 2007, kishim ndjenjën e keqe, që të lë ankthi i përsëritjes së një ngjarjeje apo fenomeni të sikletshëm, që ka krijuar dhimbje në të kaluarën e afërt apo të largët. Gjatë kësaj kohe, pas nëntorit të 2007-ës, vijimi i shenjave ka qenë "perfekt".
Kemi qysh prej korrikut 2005, që, pas çdo akti të kësaj shumice, pas çdo konflikti, pas çdo dite që kalon, gjithmonë e më tepër dhimbshëm, mandati i dytë po ngjason me të parin, pra me vitet '92-'97.
E njëjta filozofi qeverisjeje, e njëjta ideologji. Edhe asokohe, nuk kishte programe qeverisëse, por legjitimimi kërkohej dhe synohej në "luftëra" apo "beteja" me sisteme.
Dikur komunizmi, tash korrupsioni. Të dyja "luftërat" u besuan nga qytetarët e këtij vendi, por ishin këta të fundit që i paguan shtrenjtë ato. I paguan të gjithë ata shqiptarë, socialistë dhe jo socialistë, që u pushuan në mënyrë krejt të paligjshme në të gjitha nivelet dhe pozicionet e administratës publike.
U tallën ndërkaq me nga një rrogë shteti, të gjithë ata shqiptarë, demokratë ose jo, të cilët u emëruan në mënyrë po kaq të paligjshme.
Duke i sjellë jo vetëm shtetit një dëm të pallogaritshëm financiar, por, mbi të gjitha, duke i "dhuruar" shoqërisë shqiptare dëmin më të padenjë; polarizimin e skajshëm. Si atëherë, edhe tani.
Tamam si atëherë, edhe tani vazhdon goditja ndaj mediave kritike. Është e vërtetë, nuk po digjet ndonjë redaksi. Por u dogjën makina gazetarësh, u vunë gjoba falimentuese, ose u dhuruan "karota" për mediat e shitura. Mjetet kanë ndryshuar, por thelbi jo; qëllimi për të goditur imazhin dhe lirinë e shtypit mbetet.
Ky qëllim nuk ishte (dhe nuk është) i vetmi. Ose më saktë, ishte i prejardhur nga një qëllim akoma më i rrezikshëm; ai i kontrollit absolut ndaj gjithçkaje që lëviz, qoftë si ide, qoftë si trup. Nuk kishte ndarje të pushteteve, Presidenti i Republikës kontrollonte gjithçka.
Sot, ne ndërtojmë demokracinë mbi një parim, të cilin juristët e njohin mirë, atë të unitetit të pushteteve. Sot nuk ka më legjislativ, sot kemi një garant të Kushtetutës, që kalon në "heshtje" një sërë nenesh, flagrant në antikushtetutshmërinë e tyre.
Dhe është i qetë për këtë, ndërsa kërkon të mirëkuptohet nga publiku i gjerë, në moskryerjen e detyrës së tij.
Duke i lejuar ekzekutivit, jo vetëm të prodhojë ligje antikushtetuese, por më shumë se kaq, mundësinë për të kontrolluar përfundimisht pushtetin e fundit, akoma relativisht, gjallë; atë të drejtësisë, gjyqtarëve të të cilit, diku gjashtëmujor, e diku mësues e drejtues gjashtëmujorësh, sot avokatë e drejtues me emër, dikur u kontrollonte edhe gjumin.
Ishte e thjesht kjo atëherë.
Kishim një President, që kish mundur të parashikonte në dispozitat kushtetuese, një "president", i cili edhe pse nuk zgjidhej nga populli, gëzonte prerogativat e një funksioni të tillë, në republikat presidenciale.
Sot, kemi një Kryeministër ndryshe, që firmos pa "teklif" një numër ligjesh, të cilat Gjykata Kushtetuese i pezullon apo i rrëzon si antikushtetues. Dhe asgjë nuk ndodh. Mjafton pak ditë dhe shoqëria shqiptare, si gjithnjë, vazhdon t'i përtypë disa të vërteta të tilla, të forta. Dhe t'i harrojë ato.
Për fat, nuk harruaka kjo shumicë. Nuk harruaka të kthehet tek pika e saj e nisjes, tek shtigjet që dikur na çuan në katastrofë. Si atëherë, në dimër të '95-ës, teksa disa muaj para zgjedhjeve të '96-ës, të formulojë ligje, të cilët duheshin prodhuar disa vite më parë, për të eliminuar politikisht, kundërshtarët e saj.
Edhe sot, e njëjta histori. Por, veçse me më shumë nxitim, në aprovimin e ligjit antikushtetues të lustracionit, qëllimi kryesor i të cilit nuk është më mbrojtja nga kundërshtarët politikë. Shumë herë, më shumë se kaq. Është e mbrojtja e vetvetes nga drejtësia që po troket.
Sot kemi një shumicë që nxiton. Të destabilizuar, nën peshën e rëndë, nën ankthin e humbjes së pushtetit. Të një pushteti si burim përfitimi, sepse vetëm ky tip pushteti, të jep ankth kur ndjehet se po humbet.
Aq ankth, sa, tamam si dikur, të gjithë kanë filluar t'i duken si kundërshtarë. E midis tyre, edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, raportet e të cilëve, dikur armë për marrjen e pushtetit, sot kjo shumicë po i konteston një dhe nga një.
Sepse i konsideron kundër saj dhe jo siç janë në të vërtetë, në të mirë të zhvillimit të Shqipërisë. Kjo shumicë po vetërrethohet nga "armiq".
Dhe tamam si atëherë, nga "frëngjitë" e kullës ku po ngujohet çdo ditë, ka akoma, "demokratikas" të rinj, që kanë marrë "pushkën" e po qëllojnë mbi Këshillin e Evropës, mbi BE-në, mbi Bankën Botërore, mbi Departamentin e Shtetit.
Teksa shkruaja artikullin e parë, në nëntor 2007, nuk e kisha menduar se do të shkruaja një vit e ca më vonë, një të dytë. Sepse nuk e kisha menduar kurrë se ngjashmëria e mandateve të kësaj shumice do të vazhdonte me kaq ngulm, me kaq vetëmohim, pas kaq e kaq vitesh.
E ndërsa mendoj, zgjedhjet që kemi përpara, gjithmonë e më ngulmues, më gërryen një pyetje, mundonjëse; a do të ulem të shkruaj, pas disa muajsh, për të tretën herë, "Shenja që kallin frikë"?