E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia, bizneset e vogla dhe të mesme rrisin kërkesën

02/03/2009  Sipas vrojtimit të BSH-së parashikoheshin tendenca më lehtësuese nga bankat

Bizneset e vogla dhe të mesme kanë rritur kërkesën për tu financuar nga bankat. Në vrojtimin e radhës të Bankës së Shqipërisë kjo prirje dukej më e theksuar për këto lloj biznesesh, prirje që u thellua për shkak edhe rëndimit të situatës financiare nga kriza globale.

Kërkesa

Rezultatet e vrojtimit sjellin në vëmendje një tendencë më lehtësuese nga ana e bankave të nivelit të dytë për kushtet e kredidhënies, gjë që edhe pse jemi në tremujorin e parë të 2009-s nuk po ndodh. Në opinionet e tyre bankierë të bankave të nivelit të dytë shprehen se nuk është shtrënguar kredia për bizneset, por është zgjatur koha e dhënies së tyre. Shkak mbetet natyrisht rritja e vëmendjes dhe analiza më e zgjeruar e kushteve për kthimin e një kredie. “Kërkesa pritet të rritet në gjashtëmujorin e dytë të vitit, më e lartë nga ana e bizneseve të vogla dhe të mesme se sa nga korporatat. Sa i përket pjesës së dytë të vitit 2008, bankat parashikojnë ulje të intensitetit në shtrëngimin e standardeve të kredisë, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Përqasja ndaj bizneseve do të ketë tendenca disi më lehtësuese”, - theksohet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë. ekspertët e BSH-së, shpjegojnë se faktorët që kanë kontribuar në forcimin e kritereve janë problemet specifike të sektorit ku vepron biznesi dhe situata e pritshme makroekonomike janë faktorët me kontributin më të lartë në shtrëngimin e kritereve të kredidhënies. Ndërkohë që mjaftueshmëria e kapitalit të bankës, niveli i konkurrencës së sistemit bankar dhe kreditë me probleme, sipas ekspertëve, kanë pasur një kontribut më të ulët në shtrëngimin e standardeve të kredisë. “Në veçanti për kredinë për investime edhe pse politika kredidhënëse do të vazhdojë të jetë shtrënguese, pritet të jetë më e zbutur. Ndërkohë, për kreditë për kapital qarkullues dhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, standardet do të vazhdojnë të shtrëngohen më tej”, - thekson vrojtimi.

Për individët

Rezultatet për kredinë ndaj individëve duket të kenë qenë më të sakta. Shqiptarët jo vetëm që në fund të 2008-s frenuan kërkesën për kredi, por në një masë të madhe ata tërhoqën edhe depozitat nga sistemi. “Për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008, shtrëngimi i standardeve të kredisë për individët pritet të vazhdojë. Bankat presin që kërkesa e individëve për kredi gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008 të mos ketë ndryshime të mëdha nga niveli i saj në gjashtëmujorin e parë”, - theksohet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

Në rënie kredia për ndërtimin

Sektori i ndërtimit gjendet në një marrëdhënie jo fort të mirë me kredidhënien. Shoqata e Ndërtuesve pas kërkesave të shumta për ulje të interesave për kredinë hipotekore nga bankat e nivelit të dytë kërcënon me bojkot të bankave që nuk ulin interesat. Gjendjen e vështirë të këtij sektori e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Në ndryshim nga pjesa e parë e vitit, në gjashtëmujorin e dytë të 2008-ës u konfirmua një tendencë zvogëlimi të dhënies së kredisë për degët “ndërtim” dhe “tregti”. Një rritje e lehtë është vënë re vetëm për degën “industri ”. “Kredia për sektorin privat ka vazhduar të luajë rolin kryesor ndër kontribuuesit e zgjerimit monetar. Rritja vjetore e kredisë ka shënuar rënie gjatë kësaj periudhe, krahasuar me gjashtëmujorin e parë”, - thuhet në analizën e të dhënave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›