Vllaznia takohet me Nevil Deden
Vllaznia është e interesuar për të afruar Nevil Deden. Deri dje kjo dukej si spekulim i merkatos, por konfirmimi ka ardhur pas takimit që një përfaqësues i lartë i klubit shkodran zhvilloi me mbrojtësin 33-vjeçar. Ky ishte vetëm hapi i parë i bisedimeve, pasi palët janë ende në fazën e "studimit të terrenit". Pasi u njohën me kërkesat e ish-mbrojtësit të kombëtares, drejtuesit kuqeblu do t‘i shqyrtojnë dhe në ditët në vazhdim pritet të vendosin nëse transferimi i Dedes në Shkodër është i mundshëm. Pas përfundimit të aventurës kineze, ku militoi me Çangsha Ginden, "veterani" ka deklaruar qartë se do të vazhdojë karrierën në Shqipëri, por "do të shoh ofertat financiare e më pas të vendos të luaj për skuadrat elitare që pretendojnë të fitojnë trofe". Fillimisht u mendua se Dede do të rikthehej te Tirana, ndërsa për të interesohej edhe Elbasani. Gjithsesi, këto dy alternativa duken të pamundura për t‘u realizuar dhe në garë kundër Vllaznisë mbetet vetëm Dinamo.