E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, çfarë ideje: Do Kanavaron

Shevçenko, Kaka e Ronaldinjo: tre "Topat e Artë", krenaria e Milanit të fundit berluskonian, mund të bëhen papritmas katër, ndoshta pas pak javësh. Quhet Fabio Kanavaro ideja e fundit e klubit kuqezi, i cili nuk dëshiron t‘ia lërë edhe këtë titull Interit. E kishte thënë Adriano Galiani disa ditë më parë: "Ne synojmë titullin, jemi të detyruar ta marrim". Në fillim u dëmtua Rino Gatuzo. Nga Majami nuk ka lajme të mira për rikuperimin e Aleksandër Nestës. Bekham është vetëm për dy muaj e gjysmë dhe nuk mund të mjaftojë për të vrapuar pas Ibrës e Murinjos. Ja përse Milani po mendon për diçka të fortë, e cila mund të shërbejë në këto momente, por edhe në sezonin e ardhshëm. Fabio Kanavaro është identikiti i kampionit që i nevojitet Ançelotit dhe në këtë rast mosha nuk prish punë. Vërtet që kapiteni i Italisë është 35 vjeç, por është gjithashtu e vërtetë se nga pikëpamja fizike gëzon një formë të mirë dhe moralisht është një lider i cili vazhdon t‘i kërkojë Lipit të grumbullohet me "axurrët". Një javë më parë, kundër Barçës që dominon "Liga"-n, ka qenë një nga më të mirët për Realin, dhe te Milani mbrojtja është e mbushur me probleme: mosha e Paolo Maldinit, mosdisponibiliteti i vazhdueshëm i Nestës, dëmtimi i Bonerës, problemet fizike të Kaladzes. Për sezonin e ardhshëm, Galiani e Ançeloti kanë marrë Tiago Silvan. Për në janar po mendojnë pikërisht për Kanavaron. "Pas pushimeve dëshiroj të mësoj se cila është strategjia e Real Madridit, pastaj, nëse do të ketë lajme negative, do të diskutoj me klube të tjera", ka thënë dje Fabio. Portat janë të hapura për Milanin, edhe pse në të ardhmen e tij të largët, shikon Napolin: "Kam thënë gjithmonë se jam një tifoz i Napolit dhe se një ditë do të më pëlqente të kthehesha në qytetin tim. E di që klubi po punon shumë mirë, po mbështetet te të rinjtë dhe do të ecë mirë si në Itali, ashtu edhe në Evropë. Flas shpesh në telefon me drejtorin Marino, por për futboll nuk flasim kurrë". Tashmë, një gjë është e qartë: Reali nuk ka ndërmend të rinovojë me Kanavaron kontratën që i skadon më 30 qershor 2009. Prandaj në janar lojtari mund të vendosë ku do të luajë sezonin e ardhshëm: Por si fillim do të presë lëvizjet e Milanit, që po mendon ta marrë menjëherë nën një kontratë 1 vit e gjysmë. Dy sezone sërish në elitë, ndoshta në të dytin edhe në Champions, pastaj në moshën 37-vjeçare mund të bëjë rikthimin e shumëpritur te Napoli, ku do të mbyllë karrierën. Kanavaros i pëlqen ky projekt, sepse në mes do të jetë edhe titulli botëror për t‘u mbrojtur me Lipin, por tashmë i mbetet Milanit të lëvizë emisarin e tij në Spanjë, Ernesto Bronzeti. Bëhet fjalë për një marrëveshje me kosto zero: klubi spanjoll, që po kërkon një mbrojtës në merkaton ndërkombëtare, do të kursente gati 4 milionë euro rrogë, ndërsa Milani mund ta provonte Kanavaron përkrah Bekhamit si në kampionat, ashtu edhe në Kupën UEFA, pasi ata që kanë luajtur në Champions, mund të luajnë në një tjetër kupë. Një marrëveshje ku kënaqen të gjithë, edhe Ançeloti: ja përse brenda 30 janarit Berluskoni mund të prezantojë të katërtin "Top të Artë" të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›