Lipe: Kam punuar 15 vjet si hidraulik, po i kthehem teatrit

Aktori Arqile Lipe, në komedinë Jo vetëm shtrirë, bëj diçka
Aktori luan në komedinë Jo vetëm shtrirë, bëj diçka
Aktori i njohur i humorit kthehet përfundimisht në Fier: Tani jam i lirë.
I mjaftoi vetëm një telefonatë që të priste biletën e të kthehej në Fier. E kishte pritur prej kohësh dhe tani që fëmijët u rritën, është më i lirë. Aktori Arqile Lipe i kishte munguar skenës fierake, por jo vetëm, për gati 15 vjet. Emigrant, si shumë të tjerë. Punonte ku nuk do të kishte dashur e ndërsa punonte si bojaxhi, në mendje kishte skenën. Por tani u kthye. Pas komedisë me regji të Kiço Londos Jo vetëm shtrirë, bëj diçka, është i hapur edhe për të tjera role. Aktori, që u bë i famshëm në duetin me aktorin tjetër fierak Todi Llupi e më së shumti me parodinë Dasma e Malos, tregon për kthimin përfundimtar dhe kritikat që ka për teatrin e sotëm.
Keni ardhur nga Greqia për të interpretuar në komedinë Jo vetëm shtrirë, bëj diçka. Si ju bindi regjisori Londo?
Ishte një kërkesë e tyre që të merrja pjesë. Mjaftoi një telefonatë dhe unë e pranova me kënaqësi. Kam punuar edhe më parë me Kiço dhe Vasilika London. Ata e kishin menduar që më parë që nëse do të vinin një pjesë në Fier, do të më ftonin. Dhe unë nuk e bëra fjalën dysh. Erdha brenda 24 orëve. Preva biletën dhe erdha.
Na flisni pak për rolin tuaj?
Është një zyrtar i opozitës, i cili takon, shikon, shijon, vlerëson dhe kujdeset të mos e diktojnë. Qëllimi i tij është të hapë skandale që nesër të vijë në qeveri, por befasisht sjell edhe mbesën e tij në këtë orgji, në këtë shtëpi ministri, zyrtari. Komedia është shkruar në vitet 70, por nuk ka atdhe dhe duket sikur është shkruar sot.
Ju ka dëmtuar fakti që nuk keni qenë në Shqipëri për të përcjellë realitetin shqiptar në skenë?
Fati im ka qenë që nuk ika larg dhe kam qenë gjithnjë i lidhur me Teatrin dhe Estradën e Fierit. Për 6 orë unë vija me makinë. I kam parë disa shfaqje dhe më është bërë qejfi. Në atë punën që unë bëja atje, hidraulik-bojaxhi, mendjen e kisha te skena. E dija që një ditë do të kthehesha e do të përfundoja punën time; ajo është skena që më rriti. Kemi qenë amatorë, u bëmë profesionistë, kemi punuar me kolegë të talentuar. Ishte një fat i madh që në atë teatër punoi Pëllumb Kulla, të cilin do ta quaja një mitër pjellore të teatrit.
Në vepër ka edhe skena, le të themi të nxehta. Si i priti publiku?
Flitet se zhvishet, por nuk zhvishet; flitet për seks, por nuk ka seks. Vepra është shkruar nga autori dhe është vënë nga Kiço Londo më së miri. Nëse një femër nuk tregon pak getat, nuk merr dot një tender, nëse nuk tregon pak hiret e trupit, nuk përfiton ndonjë gjë tjetër. Këto i ndeshim çdo ditë, ndaj edhe publiku e ka mirëpritur. Kush nuk ka ardhur, i them të vijë se do të kënaqet.
Sa ju ka munguar skena e teatrit?
U bënë 15 vjet. Ashtu na erdhi jeta. Mora fëmijët, ata filluan shkollat, nuk i shkëpusja dot më. Vajza mbaroi shumë mirë dhe vazhdoi për gjuhë të huaja. Unë doja të kthehesha më parë, por e kisha të pamundur. Duhej të paguheshin shkollat, kurset… Tani ka mbaruar shkollën e lartë, na u zgjidhën këmbët dhe erdhëm.
Pra ju do të riktheheni sa herë tju ofrojnë një rol?
Tani jam i lirë. Jam në Fier. Së shpejti do të tërheq edhe gruan, ndërsa fëmijët do të vazhdojnë jetën e tyre.
Si e gjetët Teatrin e Fierit? Ka ndryshuar në këto vite mungese?
Është plakur godina, por Kiço, me ndihmën e Bashkisë së Fierit, ka filluar nga puna për ta bërë Teatrin më të bukur, duke filluar me rikonstruksionin e ambienteve të artistëve, dyerve, tualeteve e kështu me radhë. Nga trupa jonë e estradës kanë vdekur vetëm dy veta, ndërsa pjesa tjetër është e gjitha. Sigurisht, jemi plakur ca, por artisti mbetet gjithnjë i ri në skenë.
Po publiku ka ndryshuar?
Duket se njerëzit janë më të dhënë pas shout politik. Nëse marrin vesh se aksh politikan do të vijë të mbajë një mbledhje, mbushet salla plot, ndërsa për artistët e trupës së Fierit, që ka qenë një nga më të mirat në Shqipëri… Them se duhet të na vlerësojnë më shumë. Mos të rrinë shtrirë, mos të hedhin skedina apo ta kalojnë kohën para televizorit. Bileta kushton vetëm 200 lekë në Fier dhe çdo fierak i ka 200 lekë për të ardhur e për të parë një shfaqje, qoftë e mirë apo e keqe. Çlodhesh dy orë, merr kulturë dy orë dhe ne na jep zemër. Për një artist, spektatori është shumë i rëndësishëm dhe unë dua ta falënderoj, sepse nuk e ka lënë asnjëherë sallën bosh. Nuk mbaj mend të kem dhënë shfaqje me 100 apo 50 veta para se të ikja, asnjëherë. Tani ka shumë faktorë që e kanë larguar spektatorin nga teatri. Ndoshta është gjendja shpirtërore, sepse ajo ekonomike ashtu është për të gjithë. Kush më shumë e kush më pak. Unë u them të zgjohen, të vijnë se do të kënaqen…
Ju keni punuar në një kohë kur censura ishte e fortë, megjithatë arrinit ta bënit publikun të qeshte…
Unë kisha një vërejtje për autorët. Shkrimet duhet të kenë më shumë art brenda, fabul, karakteret duhet të jenë më të ndërtuara, jo shkrime për shkrime. Edhe humori banal vjen sipas pasojës dhe rrethanës, sipas hallit të personazhit. Këtë e përdor dhe bota, por ndërtohet bukur, i jep qëllim humorit banal. Jo thjesht që të qeshë spektatori.
Kjo do të thotë se censura e asaj kohe nuk ishte edhe aq e keqe?
Unë nuk merrem me politikë, nuk di ta bëj politikën. Di të them vetëm që aso kohe kishte shkrimtarë shumë të mirë dhe të mençur. Shkrimi me kulturë tregon dhe aktorin me kulturë, krijon një ambient dhe mbledh spektator me kulturë.
Megjithatë, tani jeni i lirë të aktroni si të doni…
Ne aktorët kemi qenë gjithnjë të lirë. Kishte një këshill artistik atëherë që vendoste: kjo bëhet, kjo nuk bëhet. Unë jam ai që kam qenë gjithmonë. Vazhdoj në linjën dhe në plastikën time.
Ka ndodhur të merrni kritika nga lart për ndonjë rol?
Te Çobo Rrapushi unë kisha rolin e gangsterit dhe kishte ca lëvizje të spërdredhura. Erdhi ta shihte Kryeministri (nuk po themi emra) dhe tha: I thoni atij që fshati nuk ka djem të tillë….
Kryeqyteti mirëpret komedinë e ardhur nga Fieri
Suksesi në skenën e teatrit Bylis në Fier e ndoqi komedinë Jo vetëm shtrirë, bëj diçka edhe në Tiranë. Mbrëmjen e së premtes dhe të së shtunës komedia angleze u ngjit në skenën e madhe të Universitetit të Arteve, ku u përcoll me duartrokitje nga spektatori. Ashtu si edhe herë të tjera, regjisori Kiço Londo ka përzgjedhur një vepër provokuese, e cila, ndonëse është shkruar më shumë se 40 vjet më parë, i flet të sotshmes si të ishte shkruar sot. Por duket se politika dhe korrupsioni nuk kanë atdhe dhe nuk kanë fytyrë. Ato shfaqen gati njëlloj kudo. Ministra të korruptuar, dallaveraxhinj, opozitarë që ëndërrojnë kolltukun, femra që zgjedhin rrugën më të lehtë për tu ngjitur në karrierë apo për tu bërë të famshme. Të gjitha këto situata që pleksen me njëra-tjetrën, jo rrallë herë edhe në dhomën e gjumit, erdhën nën interpretimin e një trupe të zgjedhur si ajo e Fierit, shtuar edhe elemente të reja, që i jepnin freski skenës. Kështu, publiku duartrokiti lojën e aktorëve Luftar Paja, Arqile Lipe, Fatmir Xhelili, Mimoza Marjanaku, Doriana Caushaj, Gerta Metaj dhe Brikena Sinanaj. Pas Tiranës, komedia do të udhëtojë në të tjera skena teatrore.
ALMA MILE