E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: Provë përgjimet e SHISH

Gjykata e Lartë

Kodi i Procedurës Penale i cakton si përgjime parandaluese, Gjykata e Lartë i njohu si prova.

Survejimi ka vlerë kur i dyshuari është pranë kryerjes së krimit

Gjykata e Lartë në një vendim të pazakontë ka njohur si provë përgjimet telefonike të realizuara nga Shërbimi Informativ në një çështje trafiku droge nga Panamaja në drejtim të Shqipërisë.
Edhe pse parimisht, përgjimet e Shërbimit Informativ konsiderohen si fakte parandaluese, dhe nuk cilësohen si prova në gjykatë, trupi gjykues ka miratuar vlefshmërinë e përgjimeve në fjalë si prova edhe pse Kolegji Penal është ndarë në 3-2. Vendimi në fjalë është marrë më 12 tetor 2011 nga Gjykata e Lartë, por arsyetimi i tij është shpallur së fundi në faqen zyrtare të institucionit. Sipas të dhënave nga procesi në Gjykatën e Lartë, më datë  15 nëntor 2010, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale të trafikimit të narkotikeve. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se personi nën hetim, D. Sh., ka qenë përdorues i njërit prej numrave celularë të vendosur nën përgjim. Në bazë të informacioneve operative, nga organe të specializuara të shërbimeve të huaja, organi i akuzës është vënë në dijeni të pritshmërisë së një trafiku të lëndëve narkotike, të nisur nga Panamaja në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet postës UPS. Pikërisht në datën 17 nëntor 2010, prokurori pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë ka vendosur të lejojë përgjimin e numrave celularë 06934…, 06728…, 0695…, 06721…dhe 06945…, për një periudhë 15 ditë. Pasi ka marrë vesh për këtë, personi i përgjuar ka bërë ankim dhe Gjykata e Shkallës së Parë e ka lënë në fuqi përgjimin e numrave telefonikë në fjalë. Po kushtu, edhe Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Prokurorisë. Sipas avokatit të personit në hetim, vendimet e të dyja gjykatave janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe me provat e administruara në gjykim. Vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është dhënë i arsyetuar dhe rekursin e paraqesim pa qenë në dijeni, për argumentet e Gjykatës së Apelit. Gjithashtu avokati pretendon se vendimi i prokurorit për lejimin e përgjimit, si dhe vendimi i gjykatës për vleftësimin e tij, bazohej në një material informues të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme mbi një sasi lënde narkotike, që do të vinte nga Panamaja dhe në një informacion të dërguar nga SHISH, sipas të cilit dyshohej se subjektet e interesuara për këtë sasi droge janë disa shtetas shqiptarë të identifikuar si A. G., A. U. dhe I. X. sipas avokatit, personi i cili kishte numrin e telefonit 06945…. përveç se nuk identifikohej, quhej vetëm person i interesuar për mbërritjen e lëndës narkotike. Avokati ka pretenduar se prokurori dhe gjykata kanë konkluduar se informacioni i ardhur nga SHISH është i mjaftueshëm për të vendosur lejimin e përgjimit të këtyre shtetasve të identifikuar dhe të paidentifikuar. Gjykata e Lartë, duke cituar edhe disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka vendosur ti njohë si provë përgjimet, pasi ato janë bërë në një kohë kur i dyshuari ka qenë pranë kryerjes së një vepre penale. Pro njohjes së përgjimeve si provë kanë votuar gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Edmond Islami dhe Shkëlzen Selimi. A

Precedenti i Ramës
Vitin e kaluar, më 27 janar, Policia e Shtetit arrestoi tre persona të cilët u akuzuan fillimisht se po përgatisnin plan sulmi ndaj kreut të PS, Edi Rama. Sot çështja penale ndaj këtyre personave është pushuar, pasi gjykata ka vendosur që të mos njohë si provë përgjimet e bëra nga Shërbimi Informativ Shtetëror ndaj këtyre personave.

Ngjarja në nëntor 2010
Përgjimi arrestoi 3 pritësit e kokainës
TIRANE – Në nëntor të vitit 2010, Prokuroria e Krimeve të Rënda realizoi arrestimin e tre personave që priten një kilogram kokainë të ardhur në Shqipëri nga Panamaja. Gjatë aksionit të koduar me emrin Motorino, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Departamentin Kundër Krimit të Organizuar, sekuestroi asokohe 1 kg kokainë. Gjatë aksionit u arrestuan tre persona, që dyshohet se ishin pritës të pakos me kokainë, e cila ka mbërritur në Shqipëri nga Panamaja. Sipas hetimeve, për mbërritjen e pakos ishte dhënë një adresë e rreme e po ashtu edhe një emër pritësi i rremë. Informacioni i parë për nisjen e hetimeve ishte marrë nga jashtë Shqipërisë dhe më pas çështja ishte ndjekur deri te mbërritja e lëndës narkotike në Tiranë.

Duheshin prova shtesë për lejimin e përgjimit
Dy gjyqtarë kundër: Përgjimet e SHISH-it sjanë prova penale

Godina e SHISH në Tiranë

TIRANE Ndryshe nga shumica prej tre gjyqtarësh që ka vendosur edhe praktikën e njohjes së përgjimeve të SHISH-it si provë penale, dy gjyqtarët Arjana Fullani e Gani Dizdari kanë pasur mendim të kundërt. Sipas tyre, vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë dhe Apelit, që kanë vleftësuar si të ligjshëm autorizimin e Prokurorisë, datë 17.11.2010, për përgjimin e numrave të telefonave celularë, janë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit dhe duhej prishur nga Kolegji Penal. Nga shqyrtimi i akteve në dosje rezulton se gjykatat kanë vënë në themel të arsyetimit dhe vendimit të tyre, duke konsideruar dhe përdorur si prova, rezultatet e përgjimeve parandaluese të pasqyruara në informacionin e SHISH, theksojnë gjyqt-arët e pakicës. Sipas tyre, ndryshe nga anëtarët e tjerë të Kolegjit Penal, pakica mendon se vendimet e gjykatave të së dyja shkallëve të gjykimit janë marrë në kundërshtim me dispozitat procedurale penale, e konkretisht me nenet 221/5 e 222/1 të Kodit të Procedurës Penale.
Në nenin 221 të K.Pr.Penale përcaktohen kriteret formale, të cilat duhet të përmbushen për lejimin e përgjimit, ekzistenca e të cilave nuk rezulton të jetë kundërshtuar në asnjë rast. Sipas dy gjyqtarëve, për lejimin e përgjimit gjykatat nuk kanë kërkuar prova tjera veç informacioneve të servirura nga SHISH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›