E Diel, 1 Nëntor 2026

Një pemë çokollatash për fëmijët në Teatrin e Metropolit

Ku ka më mirë se të kesh një pemë që prodhon çokollata! Ti zgjat dorën dhe i merr… Por vetëm me një kusht: tu përgjigjesh saktë ca pyetjeve. Duhet të dish, për shembull, se kur është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, kush e ngriti, kush është Presidenti i Shqipërisë… fëmijët e kryeqytetit kanë mundësi të shohin një shfaqje të re në skenën e Teatrit të Metropolit. Titullohet Pema e çokollatave, shkruar nga Rexhina Malasi, me regji të Suela Xhonuzit dhe skenografi të Beqo Nanajt. Shfaqja është ndërtuar në formën e një kuici plot humor, por ka edhe shumë informacion. Vepra ka si protagonistë Sindin dhe Julin, 8 dhe 5-vjeçarë dhe një pemë magjike, që nëse u përgjigjesh saktë pyetjeve të saj, të shpërblen me çokollata; në të kundërt, të jep ndonjë dënim gazmor, si të mbartësh shokun në kurriz. Kjo shfaqje është e veçantë, pasi u shërben fëmijëve për të mësuar ngjarje historike shqiptare, të cilat duket sikur tani kanë dalë jashtë vëmendjes së tyre, duke qenë se janë shumë të angazhuar pas internetit dhe televizorit. Është një shfaqje shumë edukative, pasi ajo që i tërheq më shumë fëmijët janë lojërat. Në këtë rast, për të mos mbetur vetëm te lojërat, kam menduar që shfaqjen ta ndërtoj në këtë mënyrë, lojërat ndërthuren me informacionin, kështu edhe mësohet, edhe argëtohet. Pasi të zhvillohet kuici dhe të gjenden përgjigjet e sakta, atëherë fëmijët të marrin shpërblim një nga gjërat më të preferuara të tyre, çokollatat. Kështu ndizet më shumë dëshira për të marrë një pyetje tjetër, tregon regjisorja e shfaqjes, Suela Xhonuzi, e cila edhe aktron në këtë shfaqje. Bashkë me të në skenë janë edhe aktorët Medi Gurra (Kaciqi) dhe Julian Canameti. Pjesa zgjat mesatarisht 35 minuta dhe do të kthehet sërish në datat 22, 28 prill e 6, 12, 20, 26 maj, në sallën Çehov, ora 10:30, në Teatrin e Metropolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›