E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumenti i kulturës digjet nga zjarri natën e Pashkëve

GJIROKASTER/ Në banesën e Hadërajve strehoheshin 2 endacakë.

Një zjarr i madh ka shuar një banesë muzeale 3-katëshe në qytetin e Gjirokastrës. Banesa e Hadërajve, monument kulture i kategorisë I, e cila ndodhet në lagjen Meçite, u përfshi nga flakët e zjarrit të cilat e kanë likuiduar atë në gati 70% të strukturës fizike. Ndonëse janë lajmëruar nga bujtësit e radhës së banesës karakteristike, forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur dot të shpëtojnë pjesët më të rëndësishme të ndërtesës, e cila ka qenë ikonë në kohën e kaluar. Kjo pasi shërbente si Shtëpi e të Moshuarve dhe banesë për pritjen e personaliteteve të regjimit komunist. Në vendngjarje kanë shkuar dy mjete zjarrfikëse, të cilat kanë luftuar me flakët e zjarrit, por nuk mundën dot të shpëtonin të gjitha konstruktet e drunjta brenda, përfshirë tavanet, parketet dhe disa orendi. Në këtë banesë jetonte një çift endacakësh, me emrat Kismete dhe Rasim nga Librazhdi. Sipas banorëve të zonës, dy endacakët kishin disa muaj që jetonin në objektin muzeal. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e kishte planifikuar këtë banesë në listën e objekteve që meritonin të restauroheshin. Projektet restauruese ishin gati dhe pritej vetëm nisja e punimeve në të. Edhe para se të binte zjarri, banesa paraqiste një gjendje tejet të vështirë si pasojë e batimit të një pjese të murit të saj nga ana e rrugës ku kalonin qytetarët. Zjarri ka rënë në orën 01:00 të mëngjesit të së dielës dhe menjëherë u shpërnda në të gjitha ambientet e shtëpisë. Endacakët sapo kanë parë agravimin e situatës kanë lajmëruar policinë dhe zjarrfikëset, të cilat mbërritën në vendngjarje. Bilanci i dëmit ishte i konsiderueshëm për Kismeten dhe Rasimin nga Librazhdi që merreshin me grumbullimin e kanoçeve dhe shitjen e tyre në qendrat e grumbullimit. Për ta, zjarri ka djegur 3 mijë lekë, një dollap dhe një krevat portativ. Pas tri orësh luftë me zjarrin, punonjësit e PMNZSH në Gjirokastër arritën ta lokalizonin situatën. Fill pas kësaj, endacakët janë larguar dhe nuk janë dukur përgjatë orëve të ditës, duke marrë me vete edhe misterin e shkaqeve të rënies së zjarrit. Autoritetet policore po hetojnë për shkaqet e zjarrit, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe pista e zjarrvënies së qëllimshme. Dyshimet e para janë hedhur mbi pakujdesinë e endacakëve, megjithëse po verifikohet dhe mbi gjendjen e linjës elektrike, me anë të së cilës sigurohej energjia në banesë.

Shkatërrimi i monumentit të mbrojtur
Banesa e Hadërajve bën pjesë në listën e banesave karakteristike gjirokastrite, pjesë e trashëgimisë kulturore dhe si e tillë ruhej nga shteti. Me gjithë statusin që kishte ajo, në të strehoheshin endacakë të ndryshëm e persona që hynin pa asnjë lloj kujdesi për godinën. Në pritje të rehabilitimit, ajo u shemb pjesërisht nga amortizimi dhe tashmë nga djegia që e pushtoi në rrethana ende të panjohura për policinë.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›