E Diel, 1 Nëntor 2026

Urë Vajgurore, këshilltarët shtyjnë buxhetin

Bashkia e Urës Vajgurore

URE VAJGURORE Sherri midis 2 grupeve të këshilltarëve bllokon buxhetin e Bashkisë. Vazhdon prej kohësh një sherr mes dy grupeve të këshilltarëve të Bashkisë, të djathtë me të majtë. Ky sherr ka nisur fill pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, kur nga 17 këshilltarë gjithsej, 9 i përkasin grupit të djathtë dhe 8 atij të majtë, ndërsa Bashkinë e ka fituar Partia Socialiste. Burime nga Bashkia bëjnë të ditur se prej kohësh nuk janë zhvilluar mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Shkak për këtë janë bërë këshilltarët socialistë, të cilët herë kanë braktisur mbledhjen dhe herë nuk kanë shkuar fare në mbledhjen e këshillit. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ibrahim Sade, i cili përfaqëson grupin e këshilltarëve të djathtë, akuzon këshilltarët e majtë për bllokimin e buxhetit dhe shumë problemeve të tjera të mbartura. Herën e fundit mbledhja ka dështuar si pasojë e mandatit të një prej këshilltarëve të forcës politike G 99, i cili është larguar dhe tani kërkon të vijë prapë. Ky veprim i intereson shumë këshilltarëve të majtë. Por ne nuk do të lejojmë që këshilli të bëhet fushë futbolli që çdo këshilltar të largohet duke dorëzuar mandatin dhe të vijë prapë, është shprehur Sade. Sipas burimeve, Bashkia e UrësVajgurore është më problematikja në prefekturën e Beratit, pasi asnjëherë nuk i ka bërë normale mbledhjet e Këshillit Bashkiakë dhe nuk ka marrë asnjë vendim në favor të Bashkisë dhe komunitetit.                                                                                 d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›