E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, ktheheshin nga festimet, aksidentohet familja

KORÇE – Ktheheshin në banesë pasi kishin kremtuar mbrëmjen e Pashkës, aksidentohen tre persona të së njëjtës familje. Policia bëri të ditur se bilanci i aksidentit që ndodhi mëngjesin e së dielës në aksin Korçë-Boboshticë, te kryqëzimi i Ersekës, është një i vdekur dhe dy të plagosur. Mjeti tip Golf, me targa AA 922 CA, ka dalë nga rruga dhe përfunduar në lumë pasi është goditur në pjesën e pasme nga një makinë tip Benz që udhëtonte me shpejtësi. Ngjarja është regjistruar rreth orës 05:30, kur drejtuesi i mjetit, Renaldo Beqiri, së bashku me bashkëshorten dhe kunatën e tij ishin duke u kthyer në Korçë, pasi kishin festuar mbrëmjen e Pashkës në një prej lokaleve në Boboshticë. Burime nga Policia lokale thanë se shkak i aksidentit ka qenë goditja që ka marrë mjeti tip Golf në pjesën e pasmë të tij nga mjeti tip Benz, me targa AA 870 AM. Pas goditjes, Beqiri ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë, 40-vjeçari ka mbetur i vdekur, ndërsa janë plagosur rëndë dy pasagjeret të cilat udhëtonin me të, Suela dhe Rexhina Memetllari (bashkëshortja dhe kunata e 40-vjeçarit). Të plagosurat ndodhen në spitalin e Korçës, por fatmirësisht pas ndihmës së dhënë e kanë kaluar rrezikun për jetën. Pas ngjarjes, policia mbërriti në vend dhe ka identifikuar edhe drejtuesin e mjetit që dyshohet se është shkaktar i aksidentit të rëndë, shtetasin Martin Berlati, 23 vjeç.           dh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›