E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët: Ktheni projektligjin Alibeaj ose do të rebelohemi

Debati për reformën në drejtësi ka mbledhur katër mijë avokatë kundër përpjekjeve të qeverisë për të sunduar gjyqësorin

TIRANË- Avokatët shqiptarë i janë rikthyer edhe një herë debatit për reformën në drejtësi duke kundërshtuar ashpër projektligjin “Alibeaj”. Janë katër mijë avokatë që kanë kërkuar dje tërheqjen e qeverisë duke kërcënuar se në rast të kundërt do të bëjnë ligjin të pazbatueshëm. Avokatët kanë kundërshtuar faktin që janë rritur së tepërmi kompetencat e qeverisë mbi ta. “Grupi kryesor i interesit lidhur me këtë projekt-ligj është komuniteti ynë i mbi 4000 avokatëve. Por edhe grupi më i aftë, më profesional që mund të japë kontribut maksimal për të bërë një ligj bashkëkohor, perëndimor dhe plotësisht demokratik janë po këta 4000 avokatë të këtij vendi”,- tha dje kryetari i forumit të avokatëve, Idajet Beqiri. Të katër mijë avokatët i kanë bërë apel Kuvendit që të mos kalojë këtë projektligj të diskutueshëm. “Ndryshe, përmes një rebelimi pozitiv demokratik, për interesa madhore që lidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për garantimin e një procesi ligjor të drejtë, të rregullt e të bazuar vetëm në ligj, do ta bëjmë të pazbatueshëm këtë projekt-ligj, në se kthehet në ligj”,- thanë dje avokatët.

Ai dhe avokatët e tjerë kanë shpjeguar dje se ata jo vetëm që nuk janë pyetur për projektligjin por as nuk kanë pasur mundësi ta shohin atë sepse është mbajtur dhe është trajtuar si “dokument sekret” me të cilin nuk duhet të njihen avokatët. Duke hyrë në detaje konkrete, avokatët kanë pohuar se projektligji “Alibeaj” ka disa shkelje të rënda kushtetuese e sidomos në nenet 28, 29, 30, 31, 32, 33, 34 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në parim ky projekt-ligj e ka vendosur pozitën e institucionit të avokatisë nën varësinë dhe ndikimin direkt të pushtetit ekzekutiv. Avokatët e kanë cilësuar këtë ligj si pengesë për të qenë palë e barabartë në proces me prokurorinë që përfaqëson shtetin.

“Projekt-ligji ka mangësi të mëdha për gjëra parimore lidhur me institucionin e mbrojtësit ligjor, ka përpjekje të hapura për ta bërë këtë institucion sa më pa vlerë dhe sa më të pafuqishëm me qëllim që t’i heqë “de jure” dhe“de fakto” qytetarëve të këtij vendi të drejtën e mbrojtjes ligjore”,- tha dje Beqiri. Sipas tij, një shkelje e hapur e pavarësisë është edhe në pjesën e nisjes së procedimit disiplinor për një avokat. Beqiri shpjegoi se procedimi disiplinor për avokatët nis me ankimin e çdo personi që mbrohet, ose përfaqësohet prej avokatit, të çdo personi të tretë, të çdo gjyqtari dhe prokurori, të ministrit të Drejtësisë dhe të çdo organi tjetër shtetëror, i parashikuar me ligj. Madje institucioni i ngarkuar për të shqyrtuar dhe dhënë vendimet e formës së prerë në lidhje me procedimin disiplinor të një avokati është Gjykata e Apelit. Vetë avokatët pohojnë se kjo do t’i bëjë ata që të jenë në një farë mënyre servilë ndaj gjyqtarëve të Apelit. Një tjetër pikë e kontestuar është edhe ajo e nisjes së procedimit nga ana e prokurorisë. Sipas avokatëve, prokurori është palë me ta në proces dhe ky formulim është një tendencë e hapur për ta vënë institucionin e mbrojtësit ligjor nën kontrollin e plotë të organit të akuzës dhe të organit ekzekutiv. “Projekt-ligji ka një sërë mangësish në formulime, në konceptimin e gjërave, në trajtimin e problemeve me rëndësi, të cilat i lë të errëta, të pazbatueshme, lehtësisht të keqinterpretuara nesër në praktikë. Ato do t’i theksojmë duke i marrë e analizuar një e nga një të gjitha nenet e këtij projekt-ligji”,- tha dje Idajet Beqiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›