E Diel, 1 Nëntor 2026

Lipi tifozëve italiane: Më shumë respekt për senatorët

Johanesburg - Italia e drejtuar nga Marçelo Lipi do të përballet sonte me Egjiptin për ndeshjen e dytë të grupit B, e vlefshme për Kupën e Konfederatave që po zhvillohet në Afrikën e Jugut. Trajneri i kampionëve të botës do t’ia besojë repartin e mbrojtjes Zambrotës (jo Santonit), Kanavaros, Kielinit dhe Grosos.

Në mesfushë pritet të luajnë Gatuzo, De Rosi dhe Pirlo. Sulmi do të përbëhet me Rosin e tërhequr, Jakuintën në qendër dhe Kualjarelën në të majtë.

Ndërkohë, Marçelo Lipi i kërkoi tifozëve të Italisë nëpërmjet një konference shtypi, të jenë më shumë mirënjohës ndaj senatorëve që aktivizohen me përfaqësuesen. Sipas tij, eksperienca e tyre është prej kampionësh bote.

“Në radhë të parë i falënderoj tifozët e përfaqësueses sonë që na ndoqën në përballjen e me Shtetet e Bashkuara nëpërmjet televizionit. Dëshira e tyre për të ndryshuar të gjithë ekipin nuk është shumë e drejtë, pasi eksperienca e lojtarëve të vjetër është shumë e rëndësishme, për më tepër që ata janë shpallur kampionë bote”, i drejtohet Lipi tifozëve.

Ndeshja Itali-Egjipt pritet të nisë në orën 20:30, ndërsa Brazili do të përballet me Shtetet e Bashkuara sot pasdite në orën 16:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›