Lippi mendon për Botëror

Botërori 2010 po afrohet dita ditës. Për këtë, selektori i Italisë, Marcello Lippi, ka filluar të mendojë për listën definitive të 23 futbollistëve që do t’i marrë në Afrikën e Jugut, me objektiv që ta mbrojë titullin botëror, që e fitoi katër vjet më parë në Berlin. Selektori italian e ka nisur aventurën e tij me Milanin, ku qëndroi të martën në qendrën sportive të këtij klubi, Milanello.
Lista Rossonere që llogarit Lippi duket të jetë e gjatë: Andrea Pirlo është i paprekshëm, kjo mund të thuhet edhe për Gianluca Zambrottan, por trajneri italian takoi edhe futbollistë të tjerë. Ndër ta ishte edhe Gennaro Gattuso, një lojtar që pëlqehet nga Lippi dhe që kohëve të fundit e ka gjetur veten tek trajneri Leonardo.
Por, prapa nuk mbeten as Massimo Ambrosini e Marco Borriello, të cilët po shkëlqejnë këtë sezon me Milanin. I fundit ishte Alessandro Nesta. Duket se Lippi po mundohet ta bindë mbrojtësin nga Roma që t’i kthehet Kombëtares. “Unë i përcjell të gjithë futbollistët, i shikoj të gjitha ndeshjet, dhe në qershor do ta marr një vendim”, ka thënë Lippi.
Lippi ka paralajmëruar se në ditët në vijim do t’i vizitojë edhe skuadrat tjera, duke nisur nga Juventus, por jo edhe kryesuesin Inter. “Nuk shkoj në Appiano Gentile për disa motive. Tek Inter nuk luajnë shumë futbollistë italianë, thjesht për këtë”, shtoi Lippi.