E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tevez tensionon derbin

“Tevez 2 - Fergie 1”. E përditshmja anglez “Daily Sport”, e ka titulluar kështu ndeshjen e parë derbi të gjysmëfinales së Carling Cup, të fituar të martën mbrëma nga Manchester City, pikërisht falë dy golave të sulmuesit argjentinas Carlos Tevez.

Ose më mirë, njeriun të cilin e kishte lënë të largohej Sir Alex Ferguson nga United, dhe të cilin dy ditë më parë, ish-bashkëlojtari i tij, Gary Neville, e kishte definuar si të pavlerë.

Në fakt, ajo e së martës ishte pikërisht ndeshja e argjentinasit, i cili ka hyrë në fushë me një tërbim të thellë, i cili ia mundësoi të impresiononte me lojën e tij, duke ia bërë të pamundur mbrojtjes së “Djajve të Kuq” ta ndalnin, edhe pse golin e parë e shënoi nga penalltia.

Dy gola të cilat Carlitos i festoi, praktikisht në të njëjtën mënyrë: duart pas veshëve, duke provokuar tifozët dhe në përgjithësi ekipin kundërshtar. Në ndërkohë, ka ndërhyrë mbrojtësi Neville, nga bankina, duke i bërë replikë me një gjest të pahijshëm, duke e ngritur gishtin e mesëm të dorës. Këtë pamje nuk e ka parë gjyqtari Mike Dean, por kjo nuk i ka ikur fotografëve të të përditshmes Times, duke përfunduar në ballinën e saj.

Tash, veterani i Manchester United rrezikon shumë, sepse “Football Association” mund ta dënojë për gjest josportiv. “Daily Telegraph” kujton se ishte pikërisht Neville, ai i cili e kishte ekzagjeruar gëzimin e tij shtatorin e vitit të kaluar, duke i provokuar fansat e Cityt, pas golit të katërt të Michael Owen (ndeshja kishte përfunduar 4-3 për “Djajtë e Kuq”).

“Ishte me të vërtet një ndeshje speciale për mua. Golat e mi i takojnë tërësisht tifozëve të Cityt”, është shprehur Tevez, pas fitores.

“Përplasja” ndërmjet Tevez dhe Neville nuk ishte rasti i vetëm që e ka bërë derbin eksitues. Ngase, mbrojtësin e majtë francez Patrice Evra, është goditur nga tifozët e Cityt me një çakmak në stomak, pasi futbollisti i provokoi ata me një gjest tjetër josportiv.

Manchester City ka fituar me rezultat 2:1, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Anglisë. United kanë kaluar të parët në avantazh përmes veteranit Ryan Giggs, ndërsa më pas Carlos Tevez ka realizuar dy gola, njërin nga penalltia, për t’ia siguruar ekipit Citizens fitoren. Finalisti do të dihet pas ndeshjes së kthimit, e cila zhvillohet në Old Trafford.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›