Zabërgja rri te Hysi

Enis Zabërgja nuk do të luajë me Vëllaznimin në janar. Edhe pse zyrtarët e klubit nga Merdara nuk e përjashtonin një mundësi të tillë, futbollisti vushtrrias të mërkurën ka konfirmuar se i ka ndrequr punët me klubin llapjan, me të cilin pretendon ta respektojë kontratën, e cila zgjat deri në vitin 2015.
“Të martën jam pajtuar me zyrtarët e klubit. Nuk ka qenë problem shiriti i kapitenit e as marrëdhëniet jo të mira me futbollistët tjerë. Këto kanë qenë vetëm pretekste të miat për t’i prishur marrëdhëniet me Hysin dhe për të luajtur jashtë Kosovës. Këtë kusht ma kishte vënë një menaxher kroat, i cili dëshironte të më dërgonte të luaj jashtë. Por, ajo mundësi dështoi dhe tash do të vazhdoj me Hysin, ku do ta respektoj kontratën”, theksoi sulmuesi i rrezikshëm kosovar.
Golashënuesi më i mirë në Kosovë pohoi se do ta japë maksimumin për Hysin, siç ka bërë deri tash, duke kontribuar edhe me gola të shumtë. Ai synon që këtë vit, me klubin llapjan t’i fitojë të gjithë trofetë e mundshëm në Kosovë.