Peng i kontratës

Emir Bajrami, nuk pritet të lëvizë nga Elfsborgu gjatë afatit kalimtar të janarit. Transferimi i tij jashtë Suedisë mund të shtyhet, për shkak të kontratës së gjatë që ka me Elfsborgun.
Sipas medieve suedeze, problemi më i madh për Bajramin, ose të paktën diçka që i komplikon gjërat për një transferim, është kontrata e tij e gjatë që ka me Elfsborgun, deri në vitin 2013.
“Ka ndryshuar tregu i transferimeve në Evropë për sa i përket të hollave, kështu që fakti që Bajrami ka kontratë të gjatë, po i kushton atij. Do të ishte ndryshe sikur t’i kishin mbetur 6 muaj apo një vit kontratë”, ka thënë menaxheri i kosovarit, Jonas Swenson, për fotbolldirekt.se.
Ai ka bërë të ditur se deri tash nuk ka pasur ndonjë ofertë konkrete për Emir Bajramin. Mirëpo, duke i pasur parasysh kualitetet e mesfushorit kosovar, Swenson mendon se transferimi i tij jashtë Suedisë është i mundshëm.
Swenson ka thënë se ndeshjet me ekipit kombëtar A të Suedisë janë të rëndësishme dhe një hap përpara për Bajramin.
“Është e rëndësishme natyrisht dhe e shkëlqyeshme nëse ai luan për Suedinë. Për disa vite, ai e ka dëshmuar se është një futbollisti i mirë, ndërsa edhe me ekipin U-21 të Suedisë e ka treguar klasin e tij”, ka theksuar ai.
Bajrami debuton me Suedinë
Emir Bajrami ka debutuar me fitore në fanellën e Kombëtares A të Suedisë, e cila në miqësore mposhti përfaqësuesen e Omanit me rezultat 1:0. Mesfushori kosovar ishte titullar derisa në minutën e 64-t i ka liruar vendin Alexander Farnerud.
Selektori Erik Hamren, ka grumbulluar 23 futbollistë nga elita e futbollit suedez, derisa do t’i testojë disa lojtarë të rinj, në mesin e tyre edhe Emir Bajramin. Ky i fundit, nga ekspertët e futbollit në mediat suedeze është vlerësuar si një futbollist shumë perspektiv për Kombëtaren A të Suedisë.