Moustafa premton përkrahje

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), Hasan Moustafa, të mërkurën në selinë e IHF-së në Bazel të Zvicrës, e priti delegacionin e Komiteti Olimpik të Kosovës (KOK) në përbërje: Besim Hasani (kryetar) dhe Mexhit Devaja (nënkryetar i KOK-ut dhe kryetar i FHK-së) dhe Salih Sefa, konsull i Republikës së Kosovës në Zurich, në kuadër të fushatës për lobim për pranim të sportit kosovar në asociacionet ndërkombëtare.
Presidenti Moustafa, u informua mbi rrjedhat e sportit kosovar e në veçanti hendbollit gjatë vitit të kaluar si dhe orvatjet e pareshtura që po bën KOK-u për anëtarësim në organizmat e sportit ndërkombëtar.
Njeriu i parë i IHF-it u informua në detaje mbi rrjedhat e sportit nga kryetari i KOK-ut, Hasani, mbi numrin e Federatave të pranuara me të drejta të plota si dhe atyre me kushtëzime, duke kërkuar që presidenti Moustafa ta shfrytëzojë autoritetin e tij edhe tek Federatat tjera por edhe tek Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Ndërsa, kryetari i FHK-së, Devaja, kërkoi që njeriu i parë i hendbollit botëror të ndikojë tek Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) që Komiteti Ekzekutiv i këtij asociacioni evropian më në fund ta zyrtarizojë pranimin e FHK-së me të drejta të plota sipas autorizimit të Kongresit të 9-të të EHF-it, mbajtur më 26/27 shtator 2008 në Vjenë.
Delegacioni nga Kosova, të mërkurën e ka vazhduar rrugën për në qytetin Lozanë, ku është edhe selia e KON-it dhe e 9 Federatave olimpike, për të vazhduar lobimin për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.