Bllokohet sistemi për Tatimet online
Dje ishte afati i fundit i dërgimit të deklaratave tatimore përmes sistemit të ri tatimor “online”. Vendimi i qeverisë, i marrë më 2 mars 2010, detyron biznesin t’i dërgojë të gjitha deklaratat, librat e shitjes etj., direkt përmes internetit në faqen zyrtare të Tatimeve, në të kundërt vendosen gjoba. Duke ndjekur vendimin e qeverisë, biznesi nisi zbatimin e procedurës së re, që dje gjatë gjithë ditës (afati i fundit) nuk funksiononte. Sipas tatimeve, shkak i bllokimit të sistemit ishte ngarkesa e madhe, pasi të gjitha bizneset ishin kujtuar në ditën e fundit, duke rrezikuar “provën e parë të deklarimit”. Shqetësim për biznesin janë gjobat, në rast se nuk e bëjnë deklarimin në kohë, edhe nëse nuk punon sistemi. Por duke qenë hera e parë e zbatimit të sistemit të ri, tatimet mund të bëjnë lëshime në marrjen e sanksioneve. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të regjistruara pranë drejtorive rajonale tatimore, duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave tatimore dhe të librave të blerjes e të shitjes, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga periudha tatimore, nga data 1 mars 2010. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga periudha nga data 1 korrik 2010.
#