E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkaqet kryesore, cilësia e punimeve dhe reshjet e shiut

Dëmi Rruga “elektorale” Krumë-Qafë Prushi prishet para se të merret në dorëzim

Një vit pas përfundimit të punimeve në rrugën Krumë-Qafë Prushi janë shfaqur defekte serioze që vënë në pikëpyetje investimin prej miliona dollarësh. Segmente të veçanta të aksit janë dëmtuar tërësisht, duke sjellë probleme për drejtuesit e automjeteve që e përshkojnë atë çdo ditë. Në trasenë e rrugës në pika të ndryshme ka dalë asfalti dhe janë krijuar gropa të mëdha që e kanë bërë rrugën “njëkalimshe”, madje për automjetet e tonazhit të rëndë ajo është pothuajse e pakalueshme. Shoferët e kësaj zone dhe në tërësi banorët, shprehen të pakënaqur me shtetin për faktin se prishja e rrugës nuk ka shqetësuar askënd që të marrë masa për riparimin e saj. Pak kilometra përtej Krumës ka pësuar çarje një pjesë e mirë e asfaltit dhe skarpatat anësore janë devijuar tërësisht. Specialistët thonë se shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje janë reshjet e shiut dhe cilësia jo shumë e mirë e punimeve.

Rruga filloi të ndërtohet në fund të 2007-s, ndërsa pas një viti ka pasur një ribërje të asfaltit, për shkak të cilësisë së dobët të shtrimit të rrugës, duke sjellë reagimin e publikut dhe qeverisë.
“Pas ndërhyrjes së dytë që u bë në rrugë menduam se kjo punë mbaroi mirë, por kanë kaluar vetëm disa muaj dhe gjendja është skandaloze, ka shumë gropa dhe në disa vende skrapata ka rrëshqitur duke spostuar edhe tabanin e trasesë”, tha një banor i fshatit Golaj, i cili udhëtonte me kamion. Udhëtarët thanë se për gjendjen e keqe të rrugës menjëherë pasi në të është bërë investimi, janë ankuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve në Tiranë, por nuk kanë marrë përgjigje. “Nuk jemi të organizuar në reagimet tona, pasi pushteti nuk na përkrah, por në grupe prej dhjetë personash i kemi shkruar qeverisë për rrugën”, tha një shofer furgoni i linjës Krumë-Gjakovë. Një udhëtar tha në mënyrë retorike se qeverisë ia dinte për nder që solli fondin, por nuk ia falte që e la të shpërdorohej. “Nuk mund të tolerohet kjo gjendje, rruga po prishet çdo ditë dhe ne e dimë që dy herë nuk të jep kush miliona dollarë për të njëjtën rrugë, se edhe po të japë, prapë shpërdorohen”, u shpreh një udhëtar.

Shumë prej njerëzve në Has kanë filluar ta quajnë rruga elektorale, pasi siç mësohet, ajo është realizuar si një premtim i vitit 2005 dhe u përurua në prag të zgjedhjeve të 2009-s. Në segmente të veçanta, traseja e rrugës ka një bazament jo solid dhe për këtë shkak ka pësuar shkarje dhe deformime. Burime të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve në Kukës tregojnë se për dëmtimin e rrugës Krumë-Qafë Prushi është njoftuar edhe dikasteri qendror dhe se kompania ndërtuese ende nuk e ka dorëzuar objektin të përfunduar. “Garancia për marrjen në dorëzim është dy vite. Presim që këto ditë të vijnë specialistë nga supervizioni për të parë dëmet”, tha drejtori Arben Basha, duke shtuar se kompania ndërtuese ende nuk është likuiduar në shumën e projektit dhe se një sasi e caktuar të hollash i mbahen pikërisht për qëllim. Rruga është e vetmja arterie që e lidh këtë rreth me pjesën tjetër të Hasit të Kosovës, që është gjysma e së njëjtës krahinë, si dhe me Gjakovën, ku një pjesë e hasjanëve punojnë dhe bëjnë pazarin.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›