Lira e gegnishtes!
Një grup personalitetesh krijuese mbrëmë kanë shpallur krijimin e Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe. Çfarë synon ky grupim në sy të parë duket si ringjallje e gegnishtes letrare dhe rikthimin e prestigjit të saj institucional. Pa asnjë lloj rreziku për situatën e sotme gjuhësore, por me një sfidë që ka traditën e vitalitetit letrar qysh në shekullin XVI, ideatori i këtij instituti, poeti, gjuhëtari dhe përkthyesi Primo Shllaku tregon për vizionimin e një prej projekteve më madhore të saj: krijimin, që do të thotë konkretisht hyrja në nismën për të ndërtuar një antologji poetike shqiptare, me gegë e toskë.
Shllaku nuk provokohet nga nxitja tendencioze me të cilën ngjan ky rikthim i gegnishtes, duke e pyetur më shumë në arsyen se çfarë ka humbur shqipja qysh me Kongresin e Drejtshkrimit, kohë kur gegnishten e hoqën nga shprehja dhe vepra e Martin Camajt dëshmonte të kundërtën. Në këtë skaj e sheh problemin Shllaku duke shpallur qysh në krye të këtij instituti se cili krijues do të kërcasë a stonojë qoftë në gegnisht a toskërisht, do të mbetet jashtë konceptit që ka për antologjinë. Nuk presim në këtë rast të shohim ndonjë grupim për të mbajtur monopolin letrar, si “kundërvënie” e përjashtimit siç ndodh rëndom në kryeqytet. Ndonëse na duken si manifeste, prioritetet e themeluesit të këtij instituti kanë së pari nevojën e kulturës për vëmendje. E ardhmja pastaj do ta përcaktojë nëse ky institucion do vegjetojë apo do të mbushë vakuumin e arealit letrar në vend. Pozicionimi i tanishëm duket optimist, të paktën për të shkundur dhe institucionet publike se strategjia dhe prioritetet politike duhet ta shndërrojnë artin në industri, duke luajtur rolin e ndërmjetësit. Dhe jo, fjala vjen, ministria të jetë fondacion apo siç po ndodh kohët e fundit që po bën edhe punën e botuesve. Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe, si markë është garantuesi i vlerave - nëse nuk ndodh kështu sigurisht që koha ia bën jetën të shkurtër. Në të kundërtën zgjidhet një nga problemet më të thella kulturave.
Mbrëmë shpallët themelimin e Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe. Si mbërritët në këtë ide?
Ideja për themelimin e Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe erdhi, sepse në sferën e kulturës ka një boshllëk të madh vëmendjeje. Ne mendojmë që ka shumë aktivitete ose ka shumë punë për të bërë në lëmin e botimeve, çmimdhënies, multimediave, por edhe sa i përket një përzgjedhjeje profesionale të një antologjie shqiptare të letërsisë e sidomos në lëmin e kritikës, në atë që ne në institut e quajmë ndezja e dritave një lloj, mbi të gjithë arealin e letërsisë shqiptare.
A bëhet fjalë për ndonjë grup themelues, cilët janë personalitetet e fushave që do të mbledhë rreth vetes për të kryer idenë e mësipërme?
Po, kemi një grup themelues, që përbëhet prej letrarësh, gjuhëtarësh, juristësh dhe njohës të gjuhëve të huaja, kritikë të teatrit e letërsisë dhe krijues në masën e madhe.
Mund të flisni për emra konkretë që të mund t’i besojmë këtij instituti për produktin që do të promovojë?
Ne e kemi një bërthamë themeluese, që do të jetë dhe bërthama funksionale. Ne po shpallim jetën tonë publike së pari dhe më pas presim që oferta publike e këtij instituti të rritet dita-ditës me afrimin e personaliteteve krijuese, një pjesë e të cilëve u thirrën dhe në mbrëmjen inauguruese.
Cila do të jetë puna konkrete e institutit, veprimtaria e tij përballë rrumpallës që ka kultura në treg apo thjesht do të jeni si të gjitha grupet që debatojnë dhe polemizojnë? Çfarë “detyrash” merr përsipër grupi juaj themelues?
Ambicia jonë është shumë e madhe, ndërsa mundësitë tona mbeten për t’u përcaktuar në të ardhmen. Megjithatë, disa sektorë ne i kemi prioritarë.
Sektori i parë është i zhvillimit të kritikës dhe hapja e një organi adekuat, që i mungon sot spektrit të mediave të shkruara. E dyta, mendojmë se në letërsinë shqiptare ka zona të pandriçuara mirë, që kanë mbetur edhe nga periudhat e mëpërparshme. Dhe ne duam që ndriçimi në gjithë sheshin e letërsisë, pyllin e letërsisë shqiptare, të kryhet uniformisht dhe gjithçka të peshojë aq sa peshë ka. Gjithçka të ndriçohet aq sa ka fytyrë. Gjithçka të vlerësohet aq sa ka vlerë.
Qysh në emërtimin e institutit bie në sy se jeni për promovimin e vlerave të gjuhës shqipe. Konkretisht për çfarë prioriteti bëhet fjalë këtu?
Tjetër prioritet, pa dyshim, që është rigjallërimi dhe rifitimi i prestigjit të ramë të gegnishtes. Në një kohë kur gegnishtja ka kaluar në fatkeqësi për hir të disa koniunkturave politike dhe shkencore, sot ajo nuk është më një diçka e vdekur. Gegnishtja është rrit, e ka pësuar ngushtimin, por këtë e ka kompensuar me vertikalitet.
Meqë jemi tek gjuha, konkretisht a nuk është e rrezikshme në kushtet e sotme, jo si para dhjetë viteve, për mënyrën se si do të ndërhyhet në institucione që gegnishtja të jetë në prestigjin siç thatë më lart? Si mendoni t’ia riktheni lavdinë e dikurshme letrare?
Nuk ka asnjë gjë të rrezikshme. Rikuperimi i prestigjit të kësaj koineje të fuqishme letrare e ka kapërcyer pengesën e monopolit. Ajo shkruhet lirshëm sot në Shqipëri dhe Kosovë e më gjerë - ka një masë të konsiderueshme autorësh të cilët e kanë zgjedhë këtë si shprehje, për vazhdimin e një tradite që është 600-vjeçare. Ai që nuk di të shkruajë gegnisht, që stonon dhe kërcet, do të marrë të njëjtin dënim që marrin të gjithë autorët që stonojnë dhe kërcasin edhe në letrarishten e standardit. Kjo është një sfidë.
Ju flisni dhe shkruani gegnisht, po kështu është edhe tendenca e fundit e një grupi të rinjsh. Çfarë e bën të domosdoshme këtë shprehje? Çfarë i ka humbur shqipes duke iu mohuar gegnishtja?
Shqipes i ka humbur më tepër se gjysma dhe rrezikohet me i humb më tepër se gjysma e letërsisë së madhe të të gjitha kohërave. Asnjë gjë tjetër nuk i ndodh shqipes, vetëm se humbet gjithë letërsinë qysh prej shekullit XVI dhe deri në këtë moment që po flasim. Dhe mohohen të gjithë ata që në një mënyrë apo një tjetër, kanë afirmuar vlera të pakontestueshme në këtë koine, në këtë moment që po flasim, pra në letërsinë e mbas diktaturës.
Si do të mbahet instituti? Është fjala për sigurimin e financimit.
Instituti është një OJQ. Ai do të punojë me projekte, sponsorizime me grante nga burime të ndryshme, tek të cilat ne do fillojmë aplikimin fill pas momentit kur do të kemi dalë si një ofertë dhe si një forcë me profil kultural në botën e intelektualëve.
Cila do të jetë puna e parë, nga projektet më të afërta të Institutit?
Puna e parë që e kemi në projekt, është krijimi. E kemi pak a shumë projekt-idenë, vizionin e një antologjie të poetikës shqiptare qysh prej fillimeve të saj, e deri në momentit që flasim, sipas autorëve, epokave, prurjeve dhe individualiteteve. Këtu kam parasysh idenë për shembull se Fishta kërkon vëllim më vete, Noli, Lasgush Poradeci, Naim Frashëri etj. këta emra duan vëllime më vete. Poetët e viteve midis luftës po ashtu kërkojnë të jenë më vete, si edhe Migjeni. Edhe poetët mbas diktaturës kanë nevojë për një ose dy vëllime më vete. Ky projekt do realizohet duke ia dorëzuar një personaliteti të fushës, i cili do të bëjë antologjinë, përzgjedhjen parathënien dhe sipas punës do të shpërblehet. Në planin tonë, për këtë projekt, janë ideuar 18 vëllime atëherë kuptohet se nuk do të nisim një herë nga e para dhe e dyta, por mund të bëjmë së pari vëllimin e gjashtë, apo të tretin sipas mundësive që kemi.
Të jepet përshtypja sikur ky institut do të evidentojë një grupim të shkrimtarëve gegë, pra të veriut. A mund të na thoni cili është koncepti i antologjisë?
Në qoftë se në poetikën shqiptare nuk ka asnjë gegë, pa dyshim që në këtë antologji asnjë gegë nuk do të dalë. Dhe në qoftë se nuk ka asnjë toskë në poetikën shqiptare, asnjë toskë nuk do të dalë. Nëse ka toskë e gegë dhe shqiptarë brenda poetikës sonë, të gjithë kanë vendin e vet sipas kronologjisë.
Gjithë këto nxitje vijnë ngaqë të krijohet ideja sikur gegnishtja po komentohet si një tendencë, qëllim dhe nga kjo rrezikon të margjinalizohet si rikthim prestigji...
Përmenda më lart Naimin, Lasgushin, Nolin, Fishtën etj., këta janë poetët tanë, nuk kemi tjetër dhe nuk kemi ku t’i çojmë. Instituti ynë nuk mendon si ndonjë institut tjetër që mund të bëhet një antologji a si mund të kemi një letërsi shqiptare, në të ardhmen pa gjysmën e atyre, sepse kjo gjuhë ka pranuar dhe ka pësuar fatin e keltishtes. Ky është problemi, që është thellësisht kultural. Mua nuk më intereson se si shkruhen VKM-të, si shkruhen monedhat apo certifikatat. Mua më intereson që gjuha letrare, koineja e gegnishtes së gjallë e të shkruar, të mbajë të gjallë e të nxehtë gjithë pasurinë e madhe të traditës, edhe të sotmes. Ajo ka dhënë provat e vitalitetit të vet. Në kulmin kur Kongresi i Drejtshkrimit e nxori me shqelma jashtë gegnishten, kjo prodhonte Martin Camajn dhe se kaq nuk ka çfarë të bëjë më tepër. Kjo tregon vitalitet. Ky është problemi.