E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u krijua “Banda e Lushnjes”, zanafilla e konfliktit me Tur Dajën



Prishja e pazareve të drogës apo thjesht një debat mes palëve solli ndarjen e dy miqve të ngushtë, Ramadan Shkurtit e Artur Dajës. Shumë vënë gishtin te pazaret e drogës dhe prishja mes miqve për shkak të përfitimeve të ardhura nga droga, ndërkohë që të tjerë thonë se pati një zënkë gjatë një loje bilardo në pranverën e vitit 1997 në një lokal të qytetit të Lushnjës, ku pas debatit me fjalë, dy miqtë e ngushtë që do të të tentonin të vrisnin njëri-tjetrin më vonë, i kishin lënë fjalët për t'u takuar më vonë. Ky i fundit është versioni i dhënë nga organi i akuzës në dosjen e përgatitur për kapobandën e Myzeqesë, Alfred Shkurti, alias Aldo Bare. Sipas akuzës, pak ditë nga zënka me fjalë në korrik të vitit 1997, Alfred Shkurti së bashku me vëllain e tij, Ramadan Shkurti, Enver dhe Bardhyl Rabija, të prekur në sedër nga ofendimet e bëra në drejtim të tyre në vend publik, u nisën me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja me disa pjesëtarë të familjes së tij që të hakmerren. “Vetëm pak metra larg verandës ku ishte ulur Daja, dy vëllezërit Shkurti dhe Rabija filluan të qëllonin në drejtim të tyre. Nga shkëmbimi i zjarrit, i cili zgjati disa minuta, mbeti i vrarë në lokal më bukë në gojë Genci Kashari, shoku i Artur Dajës, ku u plagos edhe vetë ky i fundit. Ndërsa, nga atentatorët mbeti i plagosur Enver Rabija, i cili me ndihmën e Alfred Shkurtit do largohej me vrap nga vendngjarja, duke lënë po të plagosur në makinë vëllanë e tij, Ramadan Shkurtin dhe Bardhyl Rabijën. Tur Daja, sipas akuzës, duke parë se nga makina ku qëllohej vetëm pak sekonda më parë nuk kishte më shkrepje armësh, u vërsul mbi dy të plagosurit, Ramadan Shkurti e Bardhyl Rabija, duke i qëlluar vetëm pak centimetra larg kokës së tyre, e duke i ekzekutuar në vend. Ka qenë pikërisht ky moment, i parë vetë nga Aldo Bare, që do të sillte një hakmarrje të egër për gati 10 vite kundër të gjithë shokëve, miqve dhe të afërmve të Artur Dajës. Por jo vetëm ndaj këtyre, por edhe ndaj vetë Artur Dajës, kokën e të cilit së bashku me Enver Dondollakun do ta shëtiste si triumfator nëpër gjithë qytetin e Lushnjes. Vrasja e Ramadan Shkurtit do të shënonte edhe fillimin e bandës famëkeqe të Lushnjes, në krye të së cilës do ishte ish-efektivi i BRISKU-t për disa vite, Alfred Shkurti. Fillimisht në këtë grup iu bashkuan Shkurtit miqtë e tij dhe të vëllait, si Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben e Enver Boriçi, Enver Dondollaku. Më pas, kësaj bande iu bashkua edhe Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, Erion Kashari, Elton Mermali, Petrit Liçi, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina dhe Arjan Aliço. Me mbledhjen e këtyre ushtarëve përreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet nëpër qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij.

Seriali i vrasjeve mes dy grupeve

Vrasjet filluan me ekzekutimin e Genci Kasharit, Ramadan Shkurtit dhe Bardhyl Rabijës, duke vazhduar me ekzekutimin në sy të familjes të shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri, më pas vritet po nga anëtarët e "bandës" shtetasi Nimet Zeneli. Gjatë kësaj kohe, banda ekzekuton edhe persona të tjerë, ndërsa qëllimin kryesor arrin ta përmbushë vetëm më 21 tetor 1998. I tradhtuar nga miku i tij, Bledar Haxhia, Artur Daja vritet dhe më pas i pritet koka që shfaqet në duart e anëtarëve të bandës në qendër të qytetit të Lushnjes, në fund trupit të pajetë i vihet eksploziv. Nga 1998 deri në 2006, banda e krijuar dhe e drejtuar prej tij, kryen dhjetëra krime, ndërsa është një ndër trafikueset më të fuqishme të drogës dhe armëve, e tashmë ka nën kontroll Lagunën e Karavastasë dhe asete të tjera publike, përfshi edhe kontrollin e ekipit të futbollit të Lushnjes. Banda tashmë e konsideronte veten mjaft të fuqishme sa për t'iu kundërvënë edhe shtetit, duke sulmuar disa herë krerë të policisë lokale e në fund duke vrarë inspektorin e krimeve, Klenti Bano. Pas vrasjes së njerëzve të Dajës, ekzekutohen nga banda Artan Sulçe, Bledar Haxhia, i cili dorëzoi Tur Dajën tek Aldo Bare, Nosh Gjeloshaj, Alfred Pirra, si dhe janë plagosur Bernard Linatopi dhe Bardhyl Kurti. Disa nga krimet e kryera nga banda nuk kishin aspak lidhje me Tur Dajën, pasi filluan të hyjnë në lojë edhe tenderat e qytetit, trafiqet e drogës dhe armëve, ekskluzivitetin e të cilave e kishte vetëm “Banda e Lushnjes”. Madje, një përplasje kjo bandë për tenderin e pastrimit të qytetit do ta kishte edhe me njërin nga pjesëtarët e organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”, pasi disa herë është tentuar të vritej Roland Shyti, kushëriri i parë i vëllezërve Orik e Leart Shyti.

Rolet në “Bandën e Lushnjes”

Aldo Bare, kryetari

Enver Dondollaku, krahu i djathtë

Arben Boriçi, Enver Boriçi, Ilir Stërgu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Rexhep Gina do të ishin përcjellësit e urdhrave të Bares, por të njohur edhe si njerëz të afërt të tij

Leonard Prifti, Dritan Vila, Maksim Çela, Petrit Liçi, Elton Mermali e Erjon Kashari, të njohur si zbatuesit e urdhrave apo më saktë ekzekutorët

Vrasja e Ramadan Shkurtit, Genci Kasharit e Bardhyl Rabijës

Në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti, me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja. Kur janë afruar rreth 5 metra, i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur ne automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe Artur Daja. Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit, kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe Artur Daja. Në verandën e lokalit nën shoqërimin e Artur Dajës ndodheshin familjarë të tij, si dhe shtetasi Gramoz Selmani etj.

Vrasja e Xhevat Demirit

Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjes viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stërgu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë, ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Boriçi, i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes, është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.

Vrasja e Nimet Zenelit

Më datë 13.02.1998, në vendin e quajtur Kolonjë të Rrethit Lushnje është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Boriçi e Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë pritë fuoristradës “Toyota” me targa FR 8079 A. Personat e armatosur pasi kanë parë furgonin të afrohej kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të shtetasit Gramoz Selmani. Ky i fundit pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t’u shmangur nga goditja e grupit, fshihej tek shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes shtetasi Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stërgu së bashku me të pandehurin Arben Borici i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen. Dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, kanë mundur t'i shpëtonin ekzekutimit.

Vrasja e Masar Aliut dhe Idajet Beqirit

Disa ditë më vonë, më datë 22.02.1998, në rrugën Kolonjë–Bitaj të rrethit Lushnje, me qëllimin e vetëm vrasjen e shtetasit Masar Aliu, persona të armatosur ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Enver Dondollaku, Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi kanë pritur ardhjen me makinë të shtetasit Masar Aliu. Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës, kanë dalë dhe kanë ndaluar makinën. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Masar Aliu, duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj, ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri, i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet.

Vrasja e Luan Bilbilit

Më datë 18.08.1998, në vendin e quajtur "Kodrat e ullinjve" në afërsi të fabrikës së tullave të rrethit Lushnje është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Luan Bilbili, i cili konsiderohej si shok i shtetasit Artur Daja. Në mëngjesin e ditës së ngjarjes në shtëpinë e Luan Bilbilit kanë shkuar persona të armatosur, ku ndërmjet tyre kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi. Më pas, shtetasi Luan Bilbili është gjetur i vrarë.

I vihet zjarr banesës së Shkëlqim Haxhiut

Në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, ku ndërmjet tyre të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi; Enver Boriçi; Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina në bashkëpunim me të pandehurit Aldo Bare; Enver Dondollaku dhe shtetasin e vrarë Leonard Prifti, të cilët ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Shkëlqim Haxhiu, pasi nuk kanë gjetur personat të cilët kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marrë me vete disa nga personat që ndodheshin brenda në shtëpi.

Tentativa e dështuar për vrasjen e Aldo Bares

Në gusht të vitit 1998, në orët e paradites, është bërë goditja me antitank e një makine në Sul Zotaj (Lushnje), ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal, i pandehuri Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i shtetasit Shkëlqim Haxhiu, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesëtarë të tjerë të bandës së tij.

Masakrimi i kufomës së Artur Dajës

Më datë 21.10.1998 në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjes, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njeriu. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjes pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti dhe persona të tjerë. Të gjithë viktimat kanë qenë shokë apo miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.

Nofka

Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj, kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre, Aldo Bare, me nofkat të tilla si: “I madhi”; “Profesori”; “Kryetari”. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike, si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje. Në vijim të veprimtarisë kriminale, kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në Lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e sport-klub Lushnjes, në bingon e qytetit e të tjera vende.

Banda

Alfred Shkurtin, alias Aldo Bare (Në gjykim)

Ilir Stërgu (Në gjykim)

Afrim Hoxha (Në gjykim)

Arben Boriçi (Në gjykim)

Enver Boriçi (Në gjykim)

Enver Dondollaku (Në gjykim)

Jorgo Muzaka (Në gjykim)

Rexhep Gina (Në gjykim)

Arjan Aliço (Në gjykim)

Maksim Çela (I dënuar me 25 vjet burg)

Erion Cici (I dënuar me 25 vjet burg)

Dritan Vila (I dënuar me burgim të përjetshëm)

Leonard Prifti (I vrarë)

Erion Kashari (I dënuar në Lushnje)

Elton Mermali (I dënuar në Lushnje)

Petrit Liçi (I penduar, i dënuar me 7 vjet burg)

Leonard Prifti, i vrarë

Enver Rabija, i vrarë

Hetimi

Vrasja e ish-kreut të SHIK-ut, vazhdojnë hetimet për bandën

Prokuroria e Krimeve të Rënda vazhdon hetimet për krime të tjera të kryera nga “Banda e Lushnjes”. “Ndër vrasjet për të cilat vazhdon hetimi janë vrasja me paramendim në rrethana cilësuese e shtetasit Bashkim Shkurti, ish-kreu i SHIK-ut në qytetin e Lushnjës, e ndodhur më 11 maj të vitit 1998 në qendër të qytetit të Lushnjës. Gjithashtu, po hetohet për zbulimin e atentatorëve të vrasjes së nënkryetarit të Bashkisë së Lushnjës, shtetasit Drago Voshtina, i ekzekutuar më 15 maj të vitit 1999 në hyrje të Bashkisë së Lushnjës”, - thanë burime nga prokuroria. Ndërkohë, mbi anëtarët e bandës së Lushnjës janë hedhur dyshimet edhe për vrasjen e shtetasit Klodian Haxhia, pronari i hotel “Myzeqeja”, vrasje kjo e ndodhur më 11 janar të vitit 2005 në lagjen "Loni Dhamo" pranë qendrës së Lushnjes. Shkak për këtë vrasje, sipas akuzës, dyshohet se ka qenë konflikti për privatizimin e hotelit "Myzeqeja" në Lushnje nga familja Haxhiu. Gjithashtu, hetimet vazhdojnë edhe për eksplozivin ku mbeti i vrarë Enver Rabija, për të cilin dyshohet se është një vepër e kryer nga anëtarë të “Bandës së Lushnjes”.

Vrarë

Genci Kashari

Artur Daja

Xhevdet Demiri

Artan Sulçe

Bledar Haxhia

Nosh Gjeloshaj

Alfred Pirra

Klenti Bano

Nimet Zeneli

Masar Aliu

Idajet Beqiri

Luan Bilbili

Baki Taullau

Plagosur

Bernard Linatopi

Bardhyl Kurti

Arben Kicja

“Banda e Lushnjes”, gjykimi i ndarë sipas roleve

“Banda e Lushnjes” nuk do të gjykohej së bashku, por e ndarë në tri pjesë sipas roleve që kishin në organizatën e drejtuar nga Alfred Shkurti. Fillimisht është hetuar dhe gjykuar pjesa e parë e bandës, e cilësuar si grupi i ekzekutorëve. Në të bënin pjesë Dritan Vila, Petrit Liçi, i penduari që zbardhi krimet e bandës, Maksim Çela dhe Erion Cici. Dënimin më të rëndë e mori killer-i Dritan Vila, ndërkohë që më pak u dënua për shkak të përfitimeve për ndihmën dhënë drejtësisë Petrit Liçi. Pjesa e dytë e bandës, ajo që përcillte urdhrat e bandës dhe shpesh kryente krime, janë ata që tashmë janë duke u gjykuar, Ilir Stërgu, Enver Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Jorgo Muzaka, Arjan Aliço. Ndërsa dy kapot, Bare e Dondollaku u hetuan bashkë, ndërkohë që janë gjykuar veçmas, për shkak të “divorcit” mes të dyve në momentin që Dondollaku kërkoi gjykim të shkurtuar. Tashmë, i vetëm Aldo Bare do të gjykohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari dhe katër gjyqtarë të tjerë të Gjykatës së Tiranës, pasi kjo bandë konsumoi gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›