E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret raporterin e PE: Do kapërcehet ngërci politik

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi vlerësoi rivendosjen e dialogut politik mes opozitës dhe mazhorancës dhe shprehu optimizmin për kapërcimin sa më të shpejt të ngërçit politik në takimin që zhvilloi sot në Presidencë me Raportuesin për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Nikolaos Chountis.

Burime zyrtare të Presidencës bënë të ditur se Presidenti Bamir Topi pasi bëri një përshkrim të situatës së përgjithshme në vend, vlerësoi rivendosjen e dialogut politik mes opozitës dhe mazhorancës dhe shprehu optimizmin për kapërcimin sa më të shpejt të ngërçit politik.

Nga ana e tij eurodeputeti grek Chountis pasi vlerësoi rolin moderues dhe objektiv të Presidentit Topi për rifillimin e dialogut politik dhe zgjidhjen e ngërçit politik në vend, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në përmbushjen e kritereve integruese të Shqipërisë
Presidenti Topi ndër të tjera i shprehu mirënjohjen raporterit për ndihmesën e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për forcimin dhe mirëfunksionimin e demokracisë në Shqipëri.

Presidenti shprehu besimin se shumë shpejt do të mund të merren dy vendime të rëndësishme për vendin tonë, ai i hartimit të Opinionit të Komisionit Evropian dhe vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe ai i përmbylljes me sukses të procesit të liberalizimit të vizave.

Më pas Presidenti dhe europarlamentari grek, Chountis u ndalën në marrdhëniet Shqipëri Greqi ku i vlerësuan si shumë të mira dhe miqësore marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Gjithashtu, Presidenti Topi duke vënë theksin te rëndësia e veçantë që ka për shqiptarët liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, shprehu besimin në një vendim pozitiv dhe realizimin me sukses të këtij procesi bashkëpunimi.

Duke folur për situatën në rajon, ai u shpreh se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE i shërben jo vetëm vendeve të rajonit, por edhe përmbushjes së misionit të Bashkimit Evropian për rritjen dhe konsolidimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit të të gjithë Evropës.

Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Nikolaos Chountis vlerësoi përpjekjet e mëdha të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe shprehu besimin e plotë se vendi ynë do të përmbushë me sukses të gjitha detyrimet për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›