Liri Berisha merr titullin Qytetare nderi
Liri Berisha, gruaja e Kryeministrit të Shqipërisë, nderohet me titullin “Qytetare nderi” e Lushnjës. Motivacioni është kontributi që zonja Berisha ka dhënë për çeljen e Qendrës Rajonale të Hematologjisë në Lushnjë, qendër që pret të sëmurët talasemikë të gjithë rajonit të Jugut të vendit dhe veçanërisht të zonës më të prekur nga kjo sëmundje, Myzeqesë.
Afro një muaj më parë, me numrin maksimal të votave të këshilltarëve bashkiakë, është marrë edhe vendimi për dhënien e titullit të nderit për Liri Berishën, ndërsa propozimi është kryer nga drejtoresha e spitalit civil të qytetit, Barie çela. Kurse të shtunën, me një ceremoni të zhvilluar në mjediset e lokalit privat, “Blerimi”, në kurorën me ullishta të qytetit të Lushnjës, është kryer edhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të titullit. Zonja Berisha është shprehur tepër e lumtur për nderimin, ndërkohë që ka premtuar angazhim më të madh në ndihmë të të sëmurëve talasemikë. Ajo ka thënë se do të nxisë edhe angazhimin e autoriteteve shtetërore dhe mjekësore, me qëllim sigurimin e gjakut për qendrën e hapur dy vjet më parë.
#