Masat për grevistët si për gripin e derrit
Gatishmëria dhe masat e marra në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” për të pritur dhe kuruar grevistët e opozitës janë të njëjta si për gripin e derrit. Stafi dhe personeli që do të punojë 24 orë në 24 për repartet speciale është një nga pikat kryesore të monitorimit dhe organizimit të punës në QSUT, njësoj si në kohën e pritjes dhe përcjelljes së pacientëve, të dyshuar apo të prekur nga gripi i derrit AH1N1.
Po ashtu, një tjetër masë e marrë për grevistët, e njëjtë edhe për situatën e krijuar nga përhapja e AH1N1, është lënia në dispozicion e shërbimit të farmacisë, laboratorit si dhe krijimi i pavijoneve të posaçme për trajnimin, ekzaminimin dhe kurimin e qytetarëve, të cilët për më shumë se një javë ndodhen në grevë urie. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe kreu i QSUT-së Ilir Dashi, kanë garantuar shërbim shëndetësor dhe sigurim të materialeve të nevojshme spitalore për grevistët 24 orë në 24.
Në Spitalin Infektiv është krijuar një ambient i veçantë, ku priten të gjitha rastet, me shtretër ekzaminues dhe më pas hospitalizues. Të gjithë personat, të cilët do të transportohen nga çadrat e grevës së urisë drejt QSUT-së, do të priten në këtë ambient për të marrë ndihmën e parë. Sipas urdhrit të drejtorisë së “Nënë Terezës”, departamenti i Laboratorit dhe Imazherisë duhet të marrin masat, për t’ju përgjigjur çdo kërkese, për ekzaminime gjatë 24 orëve. Shërbimet e Sëmundjeve të Brendshme, Shërbimet e Kirurgjisë, Shërbimi i Mjekësisë Interne dhe Shërbimi Infektivit duhet të rezervojnë shtretër për çdo pavijon, në funksion të grevës. “Shefat e shërbimeve të sigurojnë urgjentisht prezencën e personelit shtesë, përfshirë mjekë, kryeinfermierë, infermierë. Qendra e Koordinimit të Urgjencave të marrë masat, për vënien në gatishmëri të autoambulancave”, thuhet në urdhër. Sipas udhëzimit të brendshëm, të gjitha njësitë e farmacive duhet të qëndrojnë hapur dhe gati për furnizime emergjente.
#