E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri-Demokraci, etja e pashuar që na vjen nga dhjetori i ’90-s

Nga viti 1944 deri në vitin 1990, Shqipërinë e kishte pllakosur diktatura komuniste. Kjo diktaturë kishte mbyllur hermetikisht ndjenjat dhe lirinë e shqiptarëve. Shqipëria për gati 50 vjet mbeti një shtet i sistemit komunist në Europën lindore, ku eksperimentohej, gërshetimi i politikës teorike të shoqërizimit, me prakticizmin e shoqërizimit të ekonomisë. Ideologjia e sistemit komunist kërkonte të shoqërizonte çdo gjë. Gjatë sistemit diktatorial në Shqipëri gjithçka ishte shoqërizuar.
Çdo pasuri mbi tokë dhe ato nëntokë ishin të shoqërizuar. Ishin shoqërizuar dhe kthyer në “pronë shoqërore” malet, kodrat, fushat, kënetat, moçalet dhe deti. Të shoqërizuar ishin dhe banesat ku jetonin shqiptarët.
Gjithashtu ishte shoqërizuar puna, fuqia e krahut, kafshët, shpendët dhe bimët. Edhe një vezë konsiderohej kapital. Pa u shoqërizuar, kishin mbetur vetëm njëthundrakët, por dhe këta ishin të regjistruar në evidencat e ushtrisë për t`i inkuadruar në “çetat vullnetare” dhe “zboret” e socializmit klasik. Ky sistem e poshtroi shumë karakterin e shqiptarit, lodhi pa masë muskujt e tij. Popullit po i merrej fryma. Me mijra shqiptarë u pushkatuan pa gjyq, me mijra të tjerë u burgosën
dhe vdiqën në burgje, të tjerë ndiqeshin si kriminel, ca të tjerë i kthenin në bashkëpuntorë të regjimit diktatorial, kurse të tjerët mbanin kokën ulur dhe nuk kishin mundësi të flisnin asnjë fjalë, veçse të punonin tre turne si skllevër, pa lirinë e shpirtit dhe të jetës. Dukuritë që shfaqi sistemi socialist klasik në Shqipëri, mori një karakter specifik,
ndryshe nga ish vendet e tjera komuniste në Ballkan dhe në Europë.
Kjo e errësoi dhe e izoloi akoma më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët nga bota moderne. Shqipëria u kthye në një tokë të harruar nga bota. Kjo qe një robëri e vërtetë për shqiptarët në shekullin njëzet.
Këtë robëri ata s‘mund ta duronin më. Në fund të këtij shekulli, populli filloi të lëvizë, të flasë dhe të evidentojë me të madhe varfërinë dhe izolimin nga bota. Në Shqipëri ishin pjekur kushtet për shpërthimin e një revolte të madhe mbarë popullore. Për këtë pritej vetëm momenti.
U desh lëvizja studentore e dhjetorit 1990, që të këpusë njëherë e përgjithmonë zinxhirët e diktaturës komuniste në Shqipëri. Ishin studentët e dhjetorit 1990 që organizuan këtë lëvizje. Lëvizja studentore mori përmasat e një lëvizje mbarë kombëtare. Në krye të saj u gjend një ideator, një trim, një fisnik me bindje për të sakrifikuar për kombin dhe demokracinë, njeriu që vrau frikën e diktaturës më të egër në Europë. I till ishte djali nga Tropoja, studenti Azem Hajdari. Ai vuri në themelet e kësaj lëvizje shpirtin e tij, idet e tij dhe më vonë, gjakun dhe jetën e tij, për triumfin e demokracisë në Shqipëri. Ai e nisi lëvizjen studentore si hero, dhe i till mbeti për demokracinë në Shqipëri.
Që lëvizja studentore për demokraci, të merrte dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të njihej nga demokracia botërore, kishte nevojë të udhëhiqej dhe drejtohej
nga mendje të mprehta. Prandaj në përkrahjen dhe drejtimin e lëvizjes studentore u vunë intelektualët
me ide të fuqishme, bindëse dhe argumentuese për vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Intelektualët
që përkrahën lëvizjen studentore e kthyen atë në një lëvizje mbarë kombëtare për demokraci në Shqipëri.
Ky ishte dhe qëllimi. Kjo lëvizje u udhëhoq dhe u drejtua nga intelektualët me vizion dhe me largpamësi properendimore. Jo vetëm për studentët dhe intelektualët, por për shumicën e shqiptarëtve, liria dhe demokracia ishin bërë etje e pa shuar në shpirtin e tyre. Liria dhe demokracia vlonte në gjak, gufonte në zemër dhe ishte bërë për të gjithë shqiptarët, si oksigjeni për mushkëritë.
Misionin për vendosjen e demokracisë në Shqipëri e morën përsipër studentët, intelektualët, minatorët dhe të gjithë demokratët shqiptarë, nën drejtimin e partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike që kishte në themel këtë lëvizje të drejtuar nga Prof.Dok. Sali Berisha.
Dhjetori i vitit 1990 ka hyrë në historinë e demokracisë në Shqipëri, si dhjetori i bardhë, dhjetori i lirisë, dhjetori i demokracisë. Djemtë dhe vajzat studentë, të rinjtë, të moshuarit, punëtorët fshatarësia, të gjithë dolën në shesh. Sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe të gjithë sheshet e Shqipërisë u mbushën plotë e përplot me demokratë. Nga goja e tyre dolën si zjarr i një vullkani dy fjalë: Liri-Demokraci. Artikulimi i këtyre fjalëve kishte peshë të madhe, aq të madhe sa ngriti peshë zemrën e një kombi, i cili kaq shumë kishte vuajtur, për lirinë, demokracinë dhe qytetërimin Europian. Por jo vetëm kaq. Zëri i shqiptarëve për liri dhe demokraci, zgjoj jo vetëm Europën por dhe vëmendjen e demokracisë perendimore, në veçanti politikën e madhe amerikane.
Pas lëvizjes studentore, që u kthye menjëherë në një lëvizje mbarë kombëtare për demokraci dhe rrëzimit të miteve të diktaturës komuniste, prezenca e SHBA-së në Shqipëri nuk vonoi. Përkundrazi, ajo erdhi me gjithë fuqinë e saj. Më 22 qërshor të vitit 1991, në Shqipëri erdhi menjëherë Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Bejker. Fjalimi i tij i mbajtur përpara popullit shqiptar në sheshin “Skënderbej” Tiranë, u shoqërua me simbolet e demokracisë, shenjën e dy gishtave, me lule të freskëta dhe me pëllumba që fluturonin në qiellin e hapur dhe që shoqëroheshin me frymën e idelit të lirisë shpirtërore të shqiptarëve. Këta shënja simbolizonin lirinë, demokracinë, dashurinë, paqen dhe sigurinë. Ishte ajo ditë ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsoliduan lëvizjen studentore për demokraci, konsoliduan ardhjen dhe vendosjen e demokracisë perendimore në Shqipëri. Në këtë ditë Shqipëria u njoh si vend që kërkonte të vendoste me çdo çmim demokracinë dhe si aleate të përhershme të saj, të mbante vendin më demokratik në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Muaj dhjetor i vitit 1990 ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe analet e demokracisë shqiptare, si muaj i lindjes së demokracisë dhe lëvizja studentore si lëvizja e parë për demokraci në Shqipëri. Kurse mbështetja e demokracisë në Shqipëri nga demokracia amerikane, konsiderohet si mbështetja më e madhe dhënë Shqipërisë gjatë shekullit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›