Çfarë po bëjmë ne për shtetin e Kosovës?
Çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze gjenezën e ka në fillimet e shekullit të kaluar. Përmasat dhe evulimi i saj kanë qenë të determinuar kryekëput nga rrethanat politike rajonale dhe ndërkombëtare.
S’ka dyshim se në deceniet e fundit “problemi” i Kosovës, siç filluan ta quajnë autoritetet e shtetit jugosllav, u aktualizua në masë shumë më të madhe dhe krejt në fund të shekullit u be temë qendrore e agjendës se bashkësisë ndërkombëtare. Nga fundi i viteve 80-të dhe fillimi i viteve 90-të shekullit të kaluar Çështja e Kosovës kishte fituar një dimension më të qartësuar politik dhe ekskluzivisht lidhej me kërkesën për shtetin e pavarur të Kosovës.
Kërkesa si e tille për herë të parë mori mbështetjen e gjerë të qytetarëve të Kosovës, dhe përmes një lëvizje të jo violencës apo shtetit nën hije e krijuan idenë e shtetit të pavarur të Kosovës. Lufta e armatosur e UCK-së e vitalizoi (i dha shpirt) idesë së shtetësisë së Kosovës dhe periudha e pasluftës e njohur si protektorat ndërkombëtar mundësoi që Kosova të filloi procesin e shtet ndërtimit të saj. Shumë të veçantë për nga kompleksiciteti i tij procesin e shtet ndërtimit të Kosovës e bënë edhe rruga që është ndjekur më rastin e definimit të statusit politik të Kosovës. Një proces i gjatë negociator, një impenjim i madh i faktorëve relevant ndërkombëtar, një alternativë e tërthortë dhe me shumë të panjohura që po ndiqet për legalizimin dhe ndërkombëtarizimin e statusit Kosovës dhe sfidat e reja që po i dalin në rrugë këtij procesi janë vetëm disa nga argumentet e konstatimit të sipërthënë. Kur kemi parasysh tërë atë që u konstatua më lartë, kur dihet sa kompleks dhe delikat është procesi i ndërtimit të shtetit që po kalon Kosova, shoqëria kosovare e ne veçanti klasa politike kosovare duhet të tregoj shkallen më të lartë të maturisë politike, qëndrueshmërisë dhe vullnetit politik, guximit intelektual dhe aksionit veprues, tolerancës dhe respektit ndaj kundërshtarëve partiak.
Kjo është një condiciosine qua non për gjithë politikanët kosovar.
Nga ata nuk kërkohet asgjë më shumë se të kryejnë më përgjegjësi detyrimet e tyre kushtetuese, të kuptojnë rëndësinë e aktualitetit politik që po kalon vendi dhe të përshpejtojnë procesin e konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës. Presidenti i Kosovës do të duhej që të sillëj në përputhshmëri me obligimet kushtetuese si kreu i shtetit që përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës dhe nga ai është pritur që me kohë do të plotësojë strukturat shtetërore që janë në kompetencë të tij si: të nominojë komandantin e FSKsë, të emërojë bashkë më kryeministrin, drejtorin, zv.drejtorin dhe inspektorin e përgjithshëm të Agjensionit Kosovar të Inteligjencës, të emërojë Sekretarin e KQZ-së, të konstituojë dhe të konvokojë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, një mekanizëm shumë i domosdoshëm në proceset kur vendi po përballet më shqetësimet e fundit të lidhura me planin gjashtë pikësh të sekretarit të OKB-së dhe në fund nga Presidenti Kosova ka pritur dhe pret që ai vet të mos e shkel pjesën më vitale të Kushtetutës ku i pamundësohet mbajtja e postit të Kryetarit të Partisë derisa është president, gjë e zbehë kredibilitetin e tij politik ne raport me subjektet tjera.
Në sfidat që po kalon Kosova nga Presidenti është pritur që konform obligimeve kushtetues të bashkëpunoj shumë më ngushtë më të gjithë faktorët relevant vendor, e në veçanti me liderët opozitar, duke i bërë ata po aq kontribuues
për tejkalimin e pengesave të para të konsolidimit të shtetit të Kosovës. Presidenti nuk është treguar sa duhet i hapur karshi mendimit ndryshe të shoqërisë civile dhe grupeve të ndryshme të interesit në Kosovë. Është edhe një konstatim i përgjithshëm se Presidentit të Kosovës i ka munguar vullneti politik, që problemet madhore për të ardhmen e vendit, siq është letra e sekretarit të OKB-së z. Ban Ki Mun, (e cila erdhi në Prishtinë dhe në Beograd me 12 qershor), t’i diskutoj me të gjithë akteret e spektrit politik të Kosovës dhe pasi të jetë arritur një marrëveshje e përbashkët se si duhet reaguar të behej publike përmbajtja e letres dhe opinioni i gjerë të njoftohej më qëndrimin e institucioneve tona. Nga Kryeministri i Kosovës qytetarët kanë pritur dhe presin që të jetë më afër halleve të tyre dhe të Kosovës. Me pak të kaloj kohen ne promovimin e rrugëve të sapo asfaltuara, sepse Kosova e ka ende të paasfaltuar rrugën e të ardhmes e saj politike dhe shtetërore.
Ende në këtë rrugë Kosova ka shumë barriera, të cilat së pari, por jo e vetme, kërkohet që t’i zgjidh qeveria dhe kryeministri.
Nese në kabinetin e tij kryeministri ka ministra që dinë të thonë për Kosovën vetëm atë që e kanë shkruar paraprakisht, nuk janë të zot të bëjnë qoftë edhe një
minutë replikë, në vendin dhe kohen kur ajo është e domosdoshme.
Kjo të bene të mendosh se a është Kryeministri duke e kryer obligimin e tij kushtetues kur ka një performancë te tillë të zbehte ministri i tij. Nëse kryeministri ka në qeverinë e tij një ministër tjetër, i cili sapo ka marrë postin ka paralajmëruar luftën e pa kompromis kundër korrupsionit në shëndetësi dhe pastaj i njëjti në vend që të luftoj keqpërdoruesit
dhe abuzuesit krijon spektakle të arrestimeve të mjekëve të shquar pse paskëshin tejkaluar veprimtarinë që ua lejon licenca e tyre. Kryeministri do të duhej të bënte një evaluim të rezultateve të të gjithë ministrave të kabinetit të tij, shumica e të cilëve nuk ka edhe shumë me çka të mburret në punën e tyre. Për fat të keq këtë konstatim timin e kanë provuar edhe disa raportet e mekanizmave ndërkombëtar, e në veçanti raporti i progresit për Kosovën i Komisionit Evropian. Problemet e theksuara sociale, papunësia e lartë, varfëria, format e krimit të organizuar dhe korrupsioni, janë vetëm disa nga refleksionet negative nga ky raport. Kryeministri do të duhej që në fillim të vitit të dytë të qeverisjes së tij të kishte forcuar shumë të gjitha ato ministri që përformojnë shtetin e Kosovës në raport me të tjerët (MPJ, MPB, MFSK) si dhe të dinamizonte shumë më tepër procesin e njohjes së shtetit të Kosovës.
Qeveria duhet ta kuptojë si imperativ politik lobimin e fuqishëm
për legjitimimin e statusit të Kosovës përmes njohjeve të reja. Kuvendi i Kosovës vështruar për nga volumi i ligjeve të aprovuara rezulton të ketë qenë institucioni me produktiv dhe rrjedhimisht më i përgjegjshëm përballë nevojës së madhe që kishte dhe ka shteti i ri i Kosovës për legjislacionin
e domosdoshëm shtetëror.
Kuvendi i Kosovës është vlerësuar edhe nga mekanizma relevant ndërkombëtar si institucioni me përgjegjësi të lartë shtetformuese.
Ai ka deklaruar në koordinim të plotë më faktorin politik ndërkombëtar Pavarësinë e Kosovës, ka aprovuar me procedurë të shpejtuar legjislacionin nga Dokumenti Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisari dhe aprovuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kuvendi ka pajisur Republikën e Kosovës me simbolet shtetërore dhe ka miratuar në kohë të gjithë legjislacionin e nevojshëm për të zëvendësuar legjislacionin që buronte rregulloret e UNMIK-ut. S’ka dyshim se në segmente të caktuara dhe puna e Kuvendit nuk ka qenë e nivelit të duhur. Kuvendi i Republikës së Kosovës, i preokupuar me miratimin e legjislacionit të përmendur, fare pak ka arritur të ushtroj misionin e tij ligjvënës dhe mbikëqyrës. Ka pasur po ashtu në vijimësi vërejtje për interferencë të ekzekutivit në punën e Kuvendit. Shumë nisma të komisioneve apo të grupeve kuvendare për monitorimin e zbatimit të ligjshmërisë janë paralizuar nga ndikimi që kanë ushtruar partitë e koalicionit qeverisës mbi deputetet e tyre. Është votuar më shumicë tejet të ngushtë zgjedhja e disa udhëheqësve të bordeve të caktuara., fakt ky që është shqetësues në demokracitë e konsoliduara. Opozita, edhe pse jo shumë e fuqishme numerikisht, në procesin e definimit të statusit dhe të shtetndërtimit ka pasur dhe ka një rol shumë konstruktiv. Partitë opozitare në vijimësi kanë performuar përgjegjësi institucionale dhe shtetformuese. Asnjëherë nuk janë sjellur si opozitë përballë proceseve kruciale që ka kaluar Kosova.
Tani kur Kosova po përballet me nismat minuese kundër pavarësisë që po i servon fqinji verior, opozita po sillet me racionalitet të lartë politik. Ajo ka venë në dispozicion tërë potencialin e saj për të asistuar institucionet e vendit në tejkalimin e pengesave që po i dalin përpara shtetit të ri të Kosovës.
Çuditërisht institucionet e larta vendore, siç duket nuk po e gjejnë kurajën që ta pranojnë kontributin e madh që mundë të jap opozita në këto momente vendimtare për vendin. Opozita po e ndihmon procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës edhe përmes nismave parlamentare duke venë për diskutim shumë ngecje të dikastereve të veçanta të qeverisë.
Rrjedhimisht, është momenti i fundit që kjo qasje ndaj opozitës të ndryshohet. Shoqëria Civile konform rolit që ka në shoqëritë demokratike shoqëria civile kosovare edhe pse akoma mjaftë e dobët ka filluar të luaj një rol korrigjues në veprimet politike të institucioneve të vendit. Që nga shpallja e pavarësisë ajo ka qenë kujdestarja, ndonjëherë e vetmja, që ka sinjalizuar se nuk po behet ajo që duhet të behet për konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Në përgjithësi shoqëria civile në Kosovë po shënon një ngritje të organizimit
dhe të aktivitetit të saj.
Rrjedhimisht, ajo çdo ditë e më shumë po përmbush misionin e saj në avancimin e shkallës së demokratizimit të shoqërisë tonë. Por ka pasur raste kur OJQ të ndryshme kanë ekzagjeruar rrezikun, por edhe raste kur reagimet e e tyre janë treguar të justifikueshme.
Ka disa ide që i dëgjon aty këtu nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile të cilat janë jo shumë të studiuara dhe të analizuara dhe si të tilla rezultojnë të pa perspektivë dhe të parealizueshme.
Për me tepër shoqëria civile në Kosovë nuk po arrin edhe më tej të krijoj një masë të të menduarit kritik, e cila është parakusht kryesor për të avancuar proceset demokratike në shoqëritë në tranzicion. Ndonjëherë zgjidhjet e alternueshme që propozohen nga shoqëria civile nuk janë sa duhet koherente. Në fund është mirë që ky shkrim nga të gjithë ata që e lexojnë të merret si një nismë qellim mirë në funksion të etablimit të praktikave të analizës të brendshme dhe llogaridhënëse për punën tonë. Gjithnjë duhet të udhëhiqemi nga maksima e njohur Çfarë po bëjmë ne për vete, dhe jo çfarë po bëjnë të tjerët për ne. Vetëm kur ne bëjmë maksimumin për vete kemi të drejtë të kërkojmë nga te tjerët të bëjnë diçka për ne. Pra është e doemosdoshme që të bëjmë diçka sot për Kosovën që ta kemi ashtu si e duam atë nesër. Autori është ligjërues në Universitetin e Prishtinës