E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria e mediave Kosova renditet e fundit ne rajon

Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë dhe Unioni i Gazetarëve kanë shprehur shqetësimin e thellë sa i përket situatës në Kosovë, e cila sipas organizatave ndërkombëtare po përkeqësohet për ditë e më shumë.

Arben Ahmeti, kryetar i asociacionit të Gazetarëve Profesionistë tha se qeveria e Kosovës është shkelësi më madh i lirisë së shtypit.

“Atyre që më së shumti duhet t’ju vijë turp duket se janë ata që më së shumti deklarohen se kanë partneritet me median janë qeveria e Kosovës . Çdo i dyti gazetar thotë se qeveria është cënuese e lirisë së gazetarëve”- thotë Arben Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës.

Ndërsa Lulzim Ahmeti, anëtar i Unionit të Gazetarëve të Kosovës tha se gazetarët e Kosovës ballafaqohet më kërcënime që vijnë nga politika, biznesi dhe nga njerëzit e ligjit.

“Kërcënimet ndaj gazetarëve dhe njerëzve të mediave kanë vazhduar të rriten. Gazetarët po kërcënohen nga politika, biznesi, por edhe nga vetë njerëzit e ligjit, pra nga policia. Unioni i Gazetarëve të Kosovës ka denoncuar  24 raste të kërcënimit të gazetarëve gjatë vitit të kaluar. Kjo do të thotë shumë për një vend siç është Kosova që ka synim integrimin evropian”- tha Lulzim Ahmeti, anëtar i Unionit të Gazetarëve të Kosovës.

Raporti vjetor i Freedom House, Kosovën e vë në vendin e fundit në rajon sa i përket lirisë së shtypit. Kosova vitin e kaluar gjendej në vendin e 92, ndërsa këtë vit është e renditur në vendin 112, që nënkupton se liria e shtypit këtë vit ka shënuar rënie.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›