E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet 12-vjetori i luftës në Karadak

Në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës sot u përkujtua 12 vjetori i fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe shpalljes së zonës së lirë në luftën e vitit 2001 në këtë zonë të Karadakut të Kumanovës.

Si raporton agjencia Ina, në manifestimin përkujtimor morën pjesë ish-luftëtarë të UÇK-së, UÇPMB-së dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, familje të dëshmorëve dhe invalidët e luftës, qytetarë të ardhur nga të gjitha trevat, si dhe përfaqësues shqiptarë të institucioneve të Maqedonisë dhe komunave shqiptare.

Në fillim të manifestimit u përkujtuan të gjithë ata që ranë dhe u flijuan për çështjen kombëtare dhe në luftën e 2001 me emblemën e UÇK-së. “Ne do të jemi krenar për ta, që ne sot po jetojmë më të lirë dhe më krenar. Ata janë udhërrëfyesi ynë dhe gjithmonë duhet ndjekur rruga e tyre dhe nuk duhet harruar amaneti”, theksuan pjesëmarrës folës nga këshilli organizativ i këtij manifestimi.

Në ceremoni folën edhe përfaqësues të shoqatave të veteranëve, ku spikati fjalimi i kryetarit të SHVL-së së UÇK-së nga Kosova, Gafur Bytyqi, i cili theksoi se ndjehet krenar për gjithë bijtë dhe djemtë e këtij kombi që u flijuan për ditët më të mira të shqiptarëve kudo që janë. Ai theksoi se ndjehet krenar që gjendet në vendlindjen e komandantit legjendar Ismet Jashari – Kumanova dhe se, sipas tij, asnjëherë nuk duhet harruar dëshmorët e kombit.

Në këtë manifestim foli edhe Talat Xhaferi, ministër aktual i Mbrojtjes i Maqedonisë, i cili theksoi: “Të gjithë ne që bartim funksione publike sot e 12 vjet pas 2001-shit, në çdo moment kemi mbi vete dhe në kokë këta bijë dhe bija të kombit që për çdo moment na kujtojnë se në rrugën tonë duhet të përmbushim gjithçka në përpikëri që nga dita e parë që kishin për ideal dhe për të cilën ideal dhanë jetën”.

Manifestimi u madhështua me poezi dhe këngë kushtuar dëshmorëve të lirisë, kurse pas manifestimit të gjithë të pranishmit bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në fshatin Sllupçan./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›