Vuçiq vjen në Kosovë për t’i bindur serbët e veriut

Kosova po pret nga Serbia aprovimin e planit, në mënyrë që pastaj të nisë zbatimi i marrëveshjes në terren. Kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur se mundësia e vetme për marrëveshje mes palëve është zbatimi i saj. Një vizitë në Kosovë pikërisht për këtë çështje e ka paralajmëruar zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, i cili planifikon t’i vizitojë serbët në veri ndërmjet datës 7 dhe 12 maj.
Por, si raporton KTV-ja, integrimi i vërtetë i asaj pjese për Lëvizjen “Vetëvendosje” nuk do të duhej të ishte institucional, por shoqëror.
Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh që deri më 26 prill të hartonin planin e zbatimit të marrëveshjes, por palët nuk arritën të pajtohen, meqenëse, Serbia ka kërkuar kohë shtesë për këtë. Një takim i mundshëm i kryeministrave dhe i baroneshës Ashton është raportuar se mund të bëhet në mesin e këtij muaji./Indeksonline./