E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria e shtypit, Shqipëria e fundit në rajon, zbret 9 shkallë nga 2008

 

Shqipëria vazhdon të ketë probleme me lirinë e shtypit. Raporti vjetor i organizatës “Reporterë pa kufij” për lirinë e medias për 2009 rendisin Shqipërinë në vendin e 88-të nga 175 vendet pjesëmarrëse. Sipas Zërit të Amerikës, 18 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe pas futjes në NATO, megjithë entuziazmin se vendi do të shfaqte karakteristikat e një shoqërie më të lirë dhe në këtë kuadër edhe një media më të lirë, gjendja e lirisë së shtypit vazhdon të mbetet problematike. Në këtë përfundim arrin raporti i sivjetshëm i organizatës Gazetarët Pa Kufi mbi lirinë e shtypit në botë. Shqipëria, sipas VOA-s, del me një rezultat zhgënjyes në renditjen e sivjetshme të vendeve në bazë të lirisë së shtypit, duke u renditur e 88-a nga vendi i 79-të që zinte vjet. Megjithë vitalitetin dhe zgjerimin e mjeteve të informimit, jo gjithmonë kjo rritje shoqërohet me një pluralizëm të vërtetë informacioni dhe opinionesh në shtyp. Gazetaria investigative në Shqipëri, thuhet në raport mbetet në fazat embrionale dhe po përpiqet të gjejë vendin e saj në një shtyp që kontrollohet ose nga interesat ekonomike që luftojnë për kontroll në treg ose nga partitë politike, që shpesh nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes propagandës dhe lajmit të mirëfilltë. “Vendit ende i mungon një kornizë ligjore, që të garantojë ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë. Ky problem i ndërlikuar më tej nga nevojat ekonomike të gazetarëve, i bën punonjësit e medias pre të vendimeve arbitrare dhe nuk lejon pasqyrimin objektiv në shtyp të problemeve si korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiqet. Kontrolli qeveritar mbi median publike është i qartë dhe shfaqet me emërimin e individëve që shihen me sy të mirë nga autoritetet në postet e menaxherëve dhe redaktorëve përgjegjës për të garantuar mbulim të favorshëm për qeverinë”, thuhet në raport. Sipas VOA në këtë raport theksohet se: “Presioni nuk mungon as mbi median private, ku mjete frikësimi si gjobat, tërheqja e reklamave dhe ngatërresa qeveritare përdoren haptazi për të nxitur vetë-censurën”. Si rezultat, Shqipëria ka rënë këtë vit 9 vende në kategorizimin e organizatës Gazetarët pa Kufi ku analizohet gjendja e shtypit në 175 vende të botës. Një rënie edhe më e ndjeshme është regjistruar për Kosovën, e cila zinte vjet vendin e 58-të, ndërsa sivjet renditet në vendin e 75-të në raportin e organizatës. Si shteti më i ri në Evropë, Kosova ende ndeshet me problemet e konsolidimit të institucioneve. Nga vendet e rajonit Maqedonia renditet në vendin e 55-të, më pas vjen Serbia në vendin e 56-të dhe Mali i Zi i 77-ti. Vendet fqinje Greqia e Italia janë shumë para në renditje. Greqia renditet e 34-ta, ndërsa Italia në vendin e 49-të sa i përket lirisë së shtypit. SHBA renditen në vendin e 22 në botë për lirinë e shtypit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›