Vizat, Shqipëria në listën e BE
Shqipëria mund të përfitojë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian përpara mesit të vitit 2010. Komisioni për Lirinë, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian miratoi të hënën në mbrëmje propozimin e eurodeputetes sllovene Tanja Fajon që Shqipëria dhe Bosnja t’i bashkohen Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilat kanë përfituar heqjen e regjimit të vizave nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Aktualisht Tirana dhe Sarajeva ndodhen në aneksin e dytë, përsa i përket heqjes së vizave, ndërkohë që tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në aneksin e parë. Por teksa është miratuar propozimi për heqjen e vizave, është shtuar shënimi që amendamenti të hyjë në fuqi sapo vlerësimi pozitiv i Komisionit për këto dy vende të jetë miratuar nga Këshilli i BE-së. Sipas eurodeputetes Tanja Fajon heqja e vizave mund të përfitohet përpara qershorit nëse Shqipëria dhe Bosnja plotësojnë kushtet. Eurodeputetët i kanë bërë thirrje gjithashtu, dy vendeve që të përparojnë në shpërndarjen e pasaportave biometrike, kontrollin kufitar dhe reformën policore, si dhe i kërkojnë komisionit që të paraqesë vlerësimin për progresin e bërë nga këto dy vende në fillim të vitit të ardhshëm. Shqipëria dhe Bosnja qëndrojnë aktualisht në aneksin I, ku përfshihen ato shtete, qytetaret e të cilëve kërkojnë viza. Raporti i propozuar nga deputetja e Parlamentit Evropian nga Tanja Fajon do të votohet në seancën plenare të 12 nëntorit në Bruksel dhe më pas propozimet i kalojnë Këshillit të BE-së për të marrë vendimin përfundimtar. Pak javë më parë Komisioni Evropian i propozoi Këshillit të Bashkimit Evropian që Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia të përfitojnë liberalizimin e vizave me BE-në nga 1 janari 2010. Në 7 dhjetor Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Evropian vendosi të përfshijë Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në listën e bardhë të “Schengen”-it. Parlamentarja sllovene Fajon ka shpjeguar në këtë komitet se mungesa e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën i izolon këto vende. Eurodeputetët i kërkuan Komisionit po ashtu të fillojë dialogun e vizave me Kosovën, duke krijuar një plan për lehtësimin e vizave dhe liberalizimin e ngjashëm, për të shmangur izolimin e kosovarëve në Ballkan.