E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj premton thellimin e reformës në sistemin e drejtësisë

Ministri i Drejtësisë,  Enkelejd Alibeaj,  lajmëroi sot vazhdimin dhe thellimin e reformës në sistemin e drejtësisë në funksion të realizimit të standarteve bashkëkohore. Ministri Alibeaj vlerësoi  ecurinë e deritanishme të kësaj reforme duke konfirmuar se,  nisma të tjera ligjore do të ndërrmeren nga dikasteri që drejton për mirëfunksionimin e sistemit.  Për të, ndër arritjet e kësaj reforme janë miratimi gjatë  vitit që sapo lamë pas,  i një sërë ligjesh shumë të rëndësishme si ai për Organizimin dhe Fuksionimin e Pushtetit Gjyqësor apo ligji për Prokurorinë, të cilat theksoi ai,    "janë ligje serioze tepër të rendësishme dhe të dobishme për sistemin e drejtësisë." Në këtë drejtim, ministri  shtoi se,  "procesi ishte i tillë që pati edhe një moral të përbashkët politik.  Që një reforme të konsiderohet serioze dhe jetë gjatë si dhe për të qenë e sukseshme duhet të ketë jo vetëm sofistikimin teknik, por edhe këtë moral, pra të gjithpranimit të frymës së re reformuese". Lidhur me këtë reformë,  jetike për interesat e vendit në proceset integruese në strukturat Euroatlantike,  ministri Alibeaj  duke theksuar se është vetëm  fillimi, shprehu besimin që, fryma e re e saj është injektuar si në ambientitin politik edhe në atë juridik. "Vetëm kështu  reforma në këtë sistem do të mund të arrijë  standartet e kërkuara," tha ai. Më tej,  Alibeaj tregoi për strategjinë e kësaj ministrie dhe nismat ligjore që do të ndërrmeren për vitin në vijim, duke deklaruar se ndryshe nga viti i kaluar,  ku nismat ligjore ishin fokusuar përgjithësisht në statusin e zyrtarit si Gjyqtarit,  Prokurorit,  Avokatit, iniciativat e reja ligjore do të përqëndrohen te statuti i shërbimit të strukturave të këtij sistemi.  Si për ta ilustruar këtë, ministri Alibeaj  përmendi  ndër ligjet  që do të reformohen atë për Kodin e Procedurës Civile, dhe Kodin  e Procedurës Penale, që siç theksoi ai do ta  bëjnë sistemin e drejtësisë më të prekshëm për  publikun, duke  rritur kësisoj transparencën e tij.  Duke bërë një ekspoze të shkurtër të punës së bërë në këtë drejtim dhe asaj që po bëhet ministri theksoi se një pjesë e ligjeve janë draftuar,  të tjerë janë depozituar ne Parlament si  ligji për Gjykatat Administrative. Si nisma të reja ligjore ai  veçoi ligjin , për Këshillin e Lartë të Drejtësisë  apo ligjin për bashkëpunimin ndërgjyqësor mes Ministrisë së Brendëshme,  Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë,  zbatimin e marrëveshtjeve të bashkepunimit me shtetet e tjera për ekstradimet,  njohjet e vendimeve penale. Gjithashtu,  përmendi  nismën për reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, një sektor tepër i rëndësishëm. Sa i takon çështjes së imunitetit të gjyqtarëve, ministri rikonfirmoi idenë për ridimensionimin e konceptit të imunitetit të funksionarëve. "Sigurisht që,   një hap është bërë, - tha ai- duke përmendur ligjin  për Prokurorine, ku  koncepti i imunitetit tashmë është shfuqizuar."  "Për gjyqtarët është ndryshe. Ligji për Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor parashikon dispozitat e imunitetit të tyre, e cila eshtë një parashikim ligjor që bazën e ka te Kushtetuta. Për gjyqtarët,  koncepti i imuniteti është i shkruar në Kushtetute, çka do të thotë se nëse do të ketë tentativë dhe duhet të ketë,   për ridimensionimin e konceptit të  imunitetit është e domosdoshme që kjo të reflektohet  në ligjet respektive,"  tha ai. Lidhur me impaktin e kësaj reforme, ministri tha se, të gjithë mund të duartrokasim kur,  arijmë të miratojmë ligje të mira dhe kjo ka ndodhur në ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor, i cili ka sjellë standarde shumë të mira. Por,  suksesi do të mund të vlerësohet vetëm ateherë kur,  ligji  të njohë zbatim konkret. "Elementet e parë te reformës janë të dukshme dhe të prekshme- tha ministri- duke iu referuar këtij ligji,  ku është realizuar ndarja e procesit të  dhënies së drejtësisë nga gjyqtarët  nga puna  administrative në Gjykata." Sipas tij, sot në Gjykatat e shkalles se Pare nuk ndodh që proceset të mos fillojnë në orar dhe kjo për ministrin është tregues që serioziteti i drejtësisë fillon në korrektesinë që funksionarët duhet të kenë ndaj publikut, në respektimin e tyre. Por,  ministri shprehu rezerva, "për cilësinë e vendimarrjes nga Gjykatat, duke pretenduar se,  cilësia e vendimarrjes nuk ka ndryshim." Në këtë kontekst ai,  mbështeti idenë  për një reformim të brendshëm të gjyqësorit, pra gjyqtarët e shkalles se pare të monitorohen nga ata të Shkallës së Apelit e më pas nga  Gjykata e Lartë.  Në këtë kontekst, ai theksoi se,   ministria e Drejtësisë është fokusuar që,  përmes ligjeve të përcaktojë qartë përgjegjësitë e funksionarëve në funksion të eleminimit të praktikave abuzuese, por edhe në  promovimin e personave me integritet në sistemin gjyqësor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›