Nora Gjakova, e artë në Kupën e Evropës

Pas Majlinda Kelmendit, edhe Nora Gjakova ka filluar t’i radhitë sukseset në arenën ndërkombëtare. Xhudistja pejane, kategoria 57 kg, është kthyer në Kosovë me medalje të artë nga TOP A Kupa e Evropës për juniorë, e cila u mbajt në Paks të Hungarisë.
Ajo mposhti me radhë portugezen Santos, pastaj gjermanen Brauninger, për të arritur në çerekfinale, ku ishte më e mirë se austriakja Zentner. Në gjysmëfinale, Nora e mposhti turken Ozerler, kurse në finale ishte më e mirë se holandezja Sanne Verhagen, të cilën e kishte mposhtur edhe në Austri muajin e kaluar.
Pas këtij triumfi, Gjakova renditet në pozitën e tretë në ranglistën botërore për juniorë.
Në këtë garë morën pjesë 30 shtete me xhudistë mjaft cilësorë, kurse Kosovën e përfaqësuan katër garues. Ndërkohë, Distria Krasniqi në kategorinë 48 kg e fitoi medaljen e bronztë.
Leutrime Krasniqi, po ashtu në kategorinë 57 kg, shënoi dy fitore dhe pësoi tri humbje, duke u radhitur në pozitën e nëntë, njëjtë si Akil Gjakova, shpresë e madhe e xhudos kosovare, i cili është vetëm 15 vjeç. Akili fitoi dy meçe, por u dorëzua në të tretin në kategorinë deri 60 kg.