E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca, Shqipëria më dobët se rajoni, renditet e 10-a



nertila maho

Konkurrenca nuk është pika më e fortë e ekonomisë shqiptare, përkundrazi krahasuar me rajonin ajo renditet e parafundit. Indeksi final i vlerësimit ekonomik për konkurrencën tregon një përmirësim të theksuar të klimës së biznesit dhe përfshirjes sociale, por një punë të varfër në shumicën e aspekteve të tjera. Sipas Raportit të Forumit Ekonomik Botëror “Vëzhgimi i Lisbonës 2010 (Drejt një Evrope më kompetitive)” Shqipëria ka arritur të lërë pas vetëm Bosnjë –Hercegovinën, duke u renditur e 10-ta mes 11 vendeve. Raporti shtrin studimin e tij në gjithë vendet anëtare të BE-së, vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë ku hyn edhe vendi ynë. Shtetet, të cilat janë në një kategori vlerësimi dhe krahasimi me Shqipërinë, janë Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Gjeorgjia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Turqia, dhe Ukraina. Vlerësimi bëhet në tetë dimensione ekonomikë të përcaktuar sipas “Strategjisë së Lisbonës”, e përcaktuar në vitin 2000. Dimensioni i parë i përket informimit të shoqërisë, ku Shqipëria renditet e teta me 3.13 pikë, duke qëndruar larg nga mesatarja e BE-së 4.73 pikë. Vlerësimi i dytë ka të bëjë me risitë, kërkimin dhe zhvillimin ku vendi ynë renditet i 10-ti, nga 11 vende me 2.52 pikë nga 4.23 që është mesatarja e BE-së. Liberalizimi i tregut, ndihma e shtetit në këtë aspekt dhe zbatimi i politikave konkurruese janë një tjetër aspekt vlerësimi në raport. Në këtë aspekt, Shqipëria renditet e 9-ta, me 3.65 pikë, nga 4.80 që është mesatarja e 27-ës të BE-së. Rrjetet industriale janë një ndër pikat e dobëta të Shqipërisë ,vlerësim i cili e rendit vendin tonë të fundit në rajon, me 3.46 pikë, nga 5.39 që është mesatarja e BE-së. Shërbimet financiare e tregojnë se vendi ynë është i nënti në rajon, mes vendeve të tjera me 3.41 pikë nga 5.05 që është mesatarja e BE-së. Klima e biznesit është pika më e fortë e Shqipërisë, e cila në këtë dimension të ekonomisë renditet e katërta, me 4.48 pikë duke kaluar kështu mbi mesataren e BE-së që është 4.60. Përfshirja e shoqërisë sërish shfaqet pozitive për Shqipërinë, e cila në këtë aspekt renditet e treta, me 3.93 pikë, edhe pse larg mesatares evropiane 4.51. E fundit është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe në këtë aspekt Shqipëria renditet e teta, me 3.13 pikë, nga 5.16 që është mesatarja e Evropës. Të gjitha këto vlerësime jepen në “Vëzhgimin e Lisbonës”, që është studim i Forumit Ekonomik të Lisbonës, që studion progresin e bërë nga 27 anëtarët e BE-së, sipas kritereve të “Strategjisë së Lisbonës” në aspektin e reformave ekonomike dhe strukturore. Po kështu, vëzhgimi mat edhe performancën e konkurrencës për vendet kandidate të BE-së dhe kandidatëve potencialë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›