Shqipëria, te vendet me trenat më të ngadaltë
Nisma norvegjeze “E ardhmja në dorën tonë” ka publikuar së fundmi një studim mbi gjendjen e hekurudhave dhe shpejtësinë e trenave në Evropë, ku mes të tjerash përfshin edhe Shqipërinë. Pozicionimi i vendit tonë është në kategorinë e “të ngadaltëve”, krahasuar me vende të tjera të Evropës Perëndimore. Kështu shpejtësia e trenave në Shqipëri është përcaktuar në vlerën 30 kilometra në orë, duke u renditur e 22-ta, nga 27 vende dhe me këtë rezultat lë pas Turqinë me një shpejtësi 29 kilometra në orë. Franca është vendi që mban vendin e parë sa i përket shpejtësisë së trenave dhe investimeve të bëra në hekurudha. Shpejtësia e trenave për këtë vend është 227 kilometra në orë. Norvegjia është një ndër vendet që në fakt nuk ka ndonjë rezultat shumë më të mirë sesa Shqipëria, duke u pozicionuar dy vende më lart me një shpejtësi 53 kilometra në orë. Vendet që kanë shënuar edhe rezultatet më të mira cilësohen si vendet që kanë investuar më së shumti në hekurudha ndërsa vendet që kanë një shpejtësi që është vetëm disa dhjetëra kilometra në orë cilësohen si vende që kanë bërë vetëm një investim fillestar dhe nuk kanë ndërhyrë më vonë. Pjesë e kësaj kategorie janë Shqipëria, Norvegjia dhe Turqia. Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, rrjeti hekurudhor shqiptar ka një gjatësi të përgjithshme prej 447 km linjë kryesore dhe 230 km linjë sekondare. Ai shtrihet nga veriu me stacion kufitar Bajzë, deri në jug me stacion fundor Vlorë, dhe në lindje me stacion fundor Pogradec, në kufi me Maqedoninë.