E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria, jo klima është në rrezik

Ne po jetojmë në kohë të çuditshme. Një dimër pak më i ngrohtë se zakonisht është i mjaftueshëm - pavarësisht se përgjatë të gjithë shekullit të 20, temperatura e botës është rritur me vetëm 0.6 për qind - për ambientalistët dhe pasuesit e tyre të sugjerojnë masa radikale që synojnë të ndryshojnë motin dhe i kërkojnë këto masa tani.

A është ndryshimi i klimës thjesht një propagandë?

Vitin e kaluar, i ashtuquajturi "dokumentar" i Al Gore u shfaq nëpër kinematë në të gjithë botën. As më shumë e as më pak, në Britaninë e Tony Blair, u publikua raporti Stern. Raporti i katërt i Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimin e Klimës, u vendos në tryezën e bisedimeve të grupit të tetë vendeve më të industrializuara të botës, duke kërkuar që të bëhet diçka për këtë çështje. Njerëzit racionalë dhe ata që dashurojnë lirinë duhet të reagojnë. Diktati i korrektësisë politike është tepër strikt për të lejuar të vërtetën të dalë në shesh dhe kjo gjë nuk ndodh për herë të parë në historinë e njerëzimit. Gjithçka tjetër është e denoncueshme.

Michael Crichton e ka thënë qartë: "Sfida më e madhe me të cilën përballet njerëzimi është sfida e dallimit të realitetit nga fantazia, së vërtetës nga propaganda". Ndjehem në këtë mënyrë për shkak se histeria e ngrohjes globale është bërë një shembull i qartë problemit të së vërtetës kundër propagandës. Kërkon kurajë që të përballesh me të vërtetën "që ka zënë rrënjë", megjithëse shumë njerëz, - përfshirë edhe shkencëtarë të famshëm - e shohin problemin e ndryshimeve klimaterike krejt ndryshe. Ata protestojnë kundër arrogancës së atyre që mbrojnë hipotezën se ngrohja globale lidhet me aktivitetin e njeriut.

Si dikush që ka jetuar nën komunizëm për pjesën më të madhe të jetës, ndjehem i detyruar të them se shoh një kërcënim të madh për lirinë, demokracinë, ekonominë e tregut dhe mirëqenien për shkak të asaj që sot nuk është më komunizmi, por ambientalizmi. Kjo ideologji dëshiron të zëvendësojë evolucionin e lirë dhe spontan me një lloj planifikimi qendror (tani edhe global).

Ambientalistët kërkojnë veprim të menjëhershëm politik, për shkak se nuk besojnë në efektin pozitiv afatgjatë të rritjes ekonomike dhe injorojnë njëkohësisht progresin teknologjik, që brezat e ardhshëm pa dyshim që do t‘i gëzojnë, ashtu edhe faktin e provuar se sa më e lartë të jetë mirëqenia e një shoqërie, aq më e lartë është edhe cilësia e ambientit ku jetojnë. Ata janë pesimistë Malthusian.

Shkencëtarët duhet të na ndihmojnë nëse marrin në konsideratë pasojat politike të opinioneve të tyre shkencore. Ata kanë detyrimin të deklarojnë politikën dhe vlerën e supozimeve të tyre dhe se sa shumë janë ndikuar këto supozime e interpretime nga politika.

A ka ndonjë kuptim të flitet mbi ngrohjen në Planet kur ne e shohim atë në kontekstin e evolucionit të planetit tonë përgjatë qindra milionë viteve? Çdo fëmije i mësohet në shkollë mbi luhatjet e temperaturës, mbi epokat e akullit, mbi klimën shumë më të ngrohtë të mesjetës. Të gjithë ne e kemi vënë re se edhe gjatë jetës sonë, temperatura ndryshon, si në ngritje, si në rënie.

Për shkak të zhvillimeve në teknologji, rritjes së pasurisë së disponueshme dhe nacionalitetit të institucioneve apo aftësisë së vendeve për të organizuar veten, përshtatshmëria e shoqërisë njerëzore është rritur në mënyrë radikale. Ajo do të vijojë të rritet dhe do të zgjidhë pasojat e ndryshimeve të vogla të klimës. Jam dakord me profesor Richard Lindzen nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, i cili tha: "Gjeneratat e ardhshme do të habiten dhe gajasen kur të shohin se si ndodhi që në fillim të shekullit të 21, bota e zhvilluar hyri në një panik histerik për shkak se temperatura mesatare globale u rrit me pak të dhjetat e një grade të vetme dhe në bazë të ekzagjerimeve të stërmëdha me projeksione shumë të pasigurta kompjuterike, imagjinoi një seri pasojash zinxhir dhe u ankua për epokën e industrializimit".

Çështja e ngrohjes globale është më shumë problem që i takon shkencave shoqërore se sa atyre natyrore dhe është më shumë e lidhur me njeriun dhe lirinë e tij se sa ndryshimeve klimaterike reale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›