Komenti/Kur flasin për bojkot edhe të bojkotuarit...
Kori i korbave që nxisin PS-në të bojkotojë Parlamentin, pas refuzimit për të pranuar humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, është shtuar këto ditë me zëra, që prej më se tri muajsh, janë bojkotuar nga shqiptarët. Jo më larg se dje, diku në median e shkruar dhe diku në median elektronike, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Erjon Veliaj, nxisnin dhe inkurajonin PS-në në vendimin e saj për bojkotin e Parlamentit. Sforcimi i Gjinushit, Milos e Veliajt, për “t’i dhënë zemër” PS-së, ishte më shumë se qesharak, kur kujton, se të tre këta, së bashku, apo edhe veç e veç, as më shumë e as më pak, janë “përfaqësues të politikës së re”, por që e lexuar pak më ndryshe vota e 28 qershorit 2009, janë të padëshiruar në skenën politike, që realisht ka pësuar një konfigurim të ri. Vota e shqiptarëve më se tre muaj më parë, ishte një votë bojkotuese për Skënder Gjinushin, Paskal Milon dhe Erjon Veliajn. Duke mos pasur edhe ata vetë, as dyshimin më të vogël, se atyre nuk ju anë vjedhur votat, sepse edhe vetë e dinë që nuk kanë marrë aq vota sa edhe mund të futeshin duart e t’u vidheshin, Gjinushi, Milo e Veliaj, si qeni (qenë) që s’mund të bëj (bëjnë) pa të zotin, leh (lehin) pas ndërsimit të radhës, me shpresën se do të trembin ndokënd. Po a ka kuptim e gjithë kjo lehje e lukunisë së të bojkotuarve nga zgjedhësit...? Sigurisht që jo... Në qoftë se do të kishte kjo kuptim, pra, që dështakë të politikës të bojkotuar nga zgjedhësit, ti bëjnë qejfin vetes, e të rreshtohen në krahun e atyre që pretendojnë se ju kanë vjedhur votat, kur realisht nuk i ka votuar njeri, atëherë duhet zhvlerësuar shprehja e njohur popullore, sipas së cilës “qeni që leh nuk të ha”. Po, pse zhurmojnë kaq shumë, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, apo Erjon Veliajn...? Për një arsye të thjeshtë dhe banale... Sepse nuk kanë alternativë tjetër, veçse të llomotisin tani e tutje, jo për llogari të tyre, apo partive të tyre, por për llogari të Edi Ramës. Në të kundërt, pra, në qoftë se nuk do të “ngrinin zërin” për vendimin “pro”bojkotit të Parlamentit nga PS-ja, atëherë askush, as mediat e kontrolluara prej Edi Ramës, nuk do të kujtoheshin për fosilet e “politikës së re”. Ata e kanë të qartë, se edhe daljet nëpër faqe gazetash apo ekrane televizionesh, e kanë prej Edi Ramës dhe jo se mbartin vlera, personale, apo të forcave politike që drejtojnë. Sa për këto vlera të mundshme, vlerësimin “se sa (nuk) ju vlen lëkura”, e morën në 28 qershor... Ose më saktë, Skënder Gjinushit, Paskal Milos, apo edhe Erjon Veliajt, së bashku apo edhe veç e veç, ju vlen lëkura, aq sa tani e tutje të mos i shohim në sallën e Parlamentit shqiptar. Kjo nuk do të thotë që nga pozitat e suflerëve të përsërisin në mënyrë të tillë që ti kenë zili edhe papagajtë, “idetë” apo “tezat” e Edi Ramës, sa herë ai (Edi Rama), të ketë nevojë jo për vlera (sepse u muar vesh se ata tashmë nuk përfaqësojnë asnjë vlerë, për deri sa janë të bojkotuar nga zgjedhësit shqiptarë), por thjesht për numra...
...